Papa: sot janë shumë të persekutuar deri në vdekje për shkak të Ungjillit
R.SH. / Vatikan
Shtjefni është martiri i parë, i cili kaloi çastet e fundit të jetës së tij në lutje për ata që po ia merrni jetën, duke e gjuajtur me gurë. Figurë në dukje e ligshtë, e “pafuqishme” përballë dhunës së pësuar. Në të vërtetë, dëshmi e një “njeriu vërtet të lirë”, që nuk do të vritet në mbrojtje të “një ideologjie”, por në mbështetje të një “dhurate shpëtimi” që nuk duhet të përjashtojë askënd. Një brazdë e hapur 2000 vjet më parë, që vijojnë ta hapin edhe sot e kësaj dite shumë burra e gra të përndjekur, "nganjëherë deri në vdekje", duke mbrojtur Ungjillin.
Në Engjëllin e Shën Shtjefnit, pas hapjes së Portës Shenjte në burgun Rebibbia, Papa Françesku e përqendroi mesazhin në ngjarjet e martirit të parë të Kishës. Shkrimet - kujtoi - e paraqesin kur vritet me gurë "duke u lutur për vrasësit e tij". Një gjest, nga i cili shihet pranimi pasiv i dhunës, por që përçon lirinë e plotë të shenjtit për t’i dashur persekutorët e tij, duke ofruar "jetën për ta, si Krishti në kryq".
"Një dëshirë e madhe" e Zotit.
Duke shpresuar në pendimin dhe shpengimin e vrasësve të tij, Shtjefni bëhet mbrojtës i "një dëshire të vetme" të Zotit: "që të gjithë njerëzit të shpëtohen dhe askush të mos humbasë". E edhe dëshmitar - vazhdon ende Françesku - “i atij Ati që dëshiron të mirën dhe vetëm të mirën për secilin nga bijtë e tij, gjithmonë”. Atij Ati "që nuk i përjashton, që nuk lodhet duke i kërkuar dhe duke i mirëpritur përsëri kur, pasi janë larguar, kthehen të penduar tek Ai".
Dëshira për shpëtimin e përndjekësve
Figura e shenjtit pasqyrohet në martirët e shumtë të ditëve tona. Edhe vdekja e tyre nuk duhet të na bëjë të mendojmë për "ligështinë", por për dëshirën e zjarrtë që "të bëhen të gjithë pjesë të dhuratës së shpëtimit, të cilin e morën nga Zoti Jezu Krisht". Një dëshirë e zjarrtë, e shprehur kryesisht për persekutorët, “më nevojtarë se të tjerët për falje dhe shëlbim”.