Papa: mos i shkëputni kurrë sytë nga Jezusi, që është jetë pa fund
R.SH. / Vatikan
Në lutjen e sotme të Engjëllit të Zotit, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku u ndalua tek Ungjilli i së Dielës II të Krezhmëve, që flet për Shndërrimin e Jezusit dhe i ftoi të gjithë besimtarët t’i meditojnë pareshtur mësimet e Ungjillit, posaçërisht në këtë kohë krezhmore.
Është e Diela II e Kreshmëve. Papa përshkroi pjesën e Ungjillit të kësaj së Diele nga Marku që rrëfen Shndërrimin e Jezusit (shih Mk 9,2-10), ndërsa hap pas hapi Krishti tundohet në shkretëtirë dhe Pashkët e shumëpritura afrohen, duke na kujtuar atë, që populli e quan “borxhi i Pashkëve”, domethënë, pajtimin me kohë me Zotin! Koha shket e shkon. Jezusi shndërrohet në prani të tre dishepujve të tij më të dashur që e shoqërojnë përmbi mal. Vihet në provë nga djalli! E Ngjallja e shumëpritur e Krishtit afrohet…. Pikërisht shndërrimin e Jezusit, sopas Ungjillit të Makrut, (Mk 9,2-10) e kujtoi sot Papa para turmës së besimtarëve që e ndiqte nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan.
Drita e Jezusit
Pasi u foli dishepujve për mundimet e tij - kujtoi Papa - Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, u ngjit mbi një mal të lartë dhe aty u duk fizikisht me gjithë dritën e tij. Kështu ua zbuloi dishepujve kuptimin e asaj, që e kishin përjetuar së bashku deri në atë çast. Predikimi i Mbretërisë së Hyjit, falja e mëkateve, shërimet dhe shenjat e kryera nga Jezusi ishin shkëndijat e një drite më të madhe: drita e Jezusit, drita që është Jezusi:
“E dishepujt nuk do t’i hiqnin kurrë më sytë nga kjo dritë, sidomos në çastet e provës, si këto që tashmë ishin fare pranë Mundimeve”.
Mos i shkëputni kurrë sytë nga drita e Jezusit!
Ja mesazhi: nuk duhet t’i shkëpusim kurrë sytë nga drita e Jezusit - porositi në vijim të lutjes së Engjëllit të Zotit Papa - Pak a shumë ashtu siç bënin në të kaluarën fshatarët që, duke lëruar arat, i ngulnin sytë mbi një pikë të saktë para vetes e, duke i mbajtur të ngulur mbi cakun, i çanin drejt brazdat: “Këtë jemi të thirur ta bëjmë edhe ne të krishterët në udhët e jetës: ta kemi gjithnjë fytyrën e ndritshme të Krishtit para syve tanë”.
T’ia hapim zemrën dritës së Jezusit
Vëllezër dhe motra - bëri thirrje në vijim Papa – t’ia hapim zemrën dritës së Jezusit! Ai është dashuri! Është jetë pa fund. Përgjatë rrugëve të jetës, herë-herë të spërdredhura, ta kërkojmë fytyrën e Zotit plot mëshirë, besnikëri, shpresë.
Lutja, dëgjimi i Fjalës së Hyjit, Sakramentet, veçanërisht Pajtimi dhe Eukaristia, na ndihmojnë për ta bërë këtë. E na ndihmojnë edhe t'i shikojmë njerëzit në sy, duke u mësuar ta shohim dritën e Zotit tek të gjithë dhe duke kultivuar aftësinë për t'u mahnitur nga kjo bukuri, që shkëlqen tek të gjithë, pa përjashtim… :
“…në ata që kemi pranë dhe në të huajt; në shikimet e lumtura të atyre që gëzohen e në lotët e atyre, që qajnë; në sytë e trishtuar dhe ato të shuar të atyre, që vihen në provë nga jeta dhe që e kanë humbur entuziazmin; edhe ndër ata, që e kemi vështirë t’i shikojmë në fytyrë, duke preferuar të kthejmë kokën në anën tjetër për të mos i parë”.
Ja një rrugëzgjidhje e kënaqshme për Kreshmët: me sy të hapur mirë, bëhuni "kërkues të dritës", kërkues të dritës së Jezusit në lutje dhe ndër njerëz.
Mos të harrojmë ta pyesim veten!
Si zakonisht në përfundim të lutjes, Papa ftoi edhe sot për ta pyetur veten: “…në udhëtimin tim, a i mbaj sytë të ngulur tek Krishti që më shoqëron? E për ta bërë këtë, a i krijoi hapësirën e duhur heshtjes, lutjes, adhurimit? Së fundi, a e kërkoj çdo rreze të vogël të dritës së Jezusit, që pasqyrohet tek unë dhe tek çdo vëlla e motër që takoj? Dhe a e mbaj mend që ta falënderoj për këtë?”.
Pyetje, që presin gjegje këtë javë, e cila na afron me festën më të madhe të vitit, atë të Ngjalljes së Jezus Krishtit, Zoti tonë. Pasuar nga lutja e përjavshme drejtuar Nënës së Krishtit, Virgjrës Mari për ndihmë:
“Maria, e shndritur nga drita e Zotit, na ndihmoftë t’i mbajmë sytë ngulur te Krishti dhe ta shohim njëri-tjetrin me besim e dashuri”.