Kërko

Papa: në një botë gjithnjë më virtuale, të kujdesemi për të tjerët me gjeste konkrete

Konkretësia është fjala që përsëritet më shumë në reflektimin e Françeskut gjatë Engjëllit të Zotit të kësaj së dieleje. Frymëzimi është mënyra si vepron në Ungjill Jezusi, që “përkulet, i merr për dore dhe i shëron ata që vuajnë”. Papa kujton kështu një botë, ku sundon "virtualiteti i zhdukur i marrëdhënieve". Ndërsa dashuria "ka nevojë për praninë, takimin, kohën dhe hapësirën e dhuruar", selfiet apo "mesazhet e nxituara" nuk mjaftojnë.

R.SH. / Vatikan

Në qendër të vëmendjes, në lutjen e sotme të Engjëllit të Zotit, ishte fragmenti ungjillor i së dielës së gjashtë të këtij viti kishtar, që përshkruan takimin e Jezusit me një njeri të sëmurë nga gërbula (shih Mk 1,40-45). E Papa duke komentuar fragmentin ungjillot tha se "të sëmurit, i cili i lutet Jezusit ta shërojë, në se dëshiron, Zoti i përgjigjet: "Dua, pastrohu!" (v. 41)". Shqipton, kështu, një frazë shumë të thjeshtë, të cilën e vë menjëherë në jetë. Në të vërtetë, "gërbula zhduket dhe i sëmuri shërohet" (v. 42). Kjo ishte skena që jetuan besimtarët këtë të dielë,  e që do ta meditojnë gjatë gjithë javës.

Stili i Jezusit

E ky është edhe stili i Jezusit me ata që vuajnë - vijoi Papa Françesku - fjalë pak e fakte konkrete. Shumë herë, në Ungjill, e shohim të sillet kështu me ata që vuajnë: shurdhmemecë (shih Mc 7,31-37), paralitikë (shih Mc 2,1-12) e një mori nevojtarësh të tjerë (shih Mc 5 ):

“Kështu bën gjithmonë: flet pak e fjalët i ndjek sakaq me vepra: përkulet, merr për dore, shëron. Nuk humbet kohë me fjalime a me pyetje, aq më pak me pietizëm a sentimentalizëm. Përkundrazi, tregon modestinë delikate të njeriut që dëgjon me kujdes dhe vepron menjëherë, mundësisht pa tërhequr vëmendjen”.

Jam këtu, për ty!

Mënyra e Jezusit për të dashur është vërtet e mekullueshme dhe sa mirë të bën ta përfytyrosh e ta përvetësosh:

 “Të mendojmë çka ndodh kur takojmë njerëz që sillen kështu: të matur në fjalë, por bujarë në veprime; ngurrues në dukje, por të dobishëm në vepra; pa dëshirë për t’u dukur, por të gatshëm të ndihmojnë, sepse të gatshëm të dëgjojnë. Miq e mikesha, të cilët mund t'i pyesësh: ‘Dëshiron të më ndihmosh?’ i bindur se do të dëgjosh një përgjigje, pothuajse me fjalët e Jezusit: ‘Po, dua, jam këtu për ty!’".

Dashuria duhet të jetë konkrete

 Përgjigje që t’i lehtëson trazirat e përditshme, tejet e rëndësishme në një botë, si kjo e jona, në të cilën duket se po fiton gjithnjë e më shumë terren fundi i virtualitetit të marrëdhënieve. Të dëgjojmë, prandaj, për çka na nxit Fjala e Zotit: “Nëse një vëlla ose motër është lakuriq e i mungon ushqimi i përditshëm dhe njëri prej jush u thotë: ‘Shkoni në paqe, ngrohuni dhe ngopuni", por nuk u jep gjërat e nevojshme për trupin, çfarë dobie ka?’ (Jak 2,15-16):

“Dashuria ka nevojë për konkretësi, prani, takim, për dhurim kohe e hapësire: nuk mund të reduktohet në fjalë të bukura, në figura ekrani, në selfie të një çasti a mesazhe të nxituara. Janë mjete të dobishme, por nuk mjaftojnë për dashurinë, nuk mund ta zëvendësojnë praninë konkrete!”.

Këtë nënvizoi Papa, duke na kujtuar rishtas çfarë duhet të bëjmë për t’i korrigjuar mijëra gabimet që vijojnë ta trondisin jetën e njeriut në rrugët e kësaj bote, ku enden mijëra të mjerë, shumë nga të cilët nën breshëri bombash. Prej këndej, edhe breshëria e pyetjeve të Papës në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit.

Pyetje që presin përgjigje konkrete

 “Ta pyesim veten: a di t’i dëgjoj njerëzit, a jam  i gatshëm për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre të mira? Apo përligjem, zvarritem, fshihem pas fjalëve abstrakte dhe të kota? Konkretisht, kur ishte hera e fundit që shkova për të vizituar një vetmitar a të sëmurë, apo që ndryshova planet e mia, për t’i plotësuar nevojat e atyre që më kërkuan ndihmë?”.

E në se përgjigjja na prek thellë shpirtin e trazuar nga pamjet e panumërta të trishtuedhme të kësaj bote, t’i lutemi Marisë:

“Mari, e shpejtë në përkujdesje, na ndihmo të jemi të gatshëm e konkretë në dashuri”.

11 shkurt 2024, 12:34

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >