Kërko

Françesku: t’i njohim e t’i luftojmë “bishat” që ta copëtojnë zemrën

Veset, pasionet e çrregullta, lakmia për pasuri dhe famë, protagonizmi: gjatë Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, përpara se të nisin ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve, Françesku paralajmëroi se duhet të ruhemi nga çka josh e gllabëron lirinë e njeriut dhe i nxiti besimtarët të hyjnë në shkretëtirën shpirtërore për t’i bërë vend zërit të Zotit dhe të engjëjve. Në përfundim, një thirrje e fuqishme për ndalimin e armëve në Sudan, Mozambik, Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

R.SH. / Vatikan

Në lutjen e Engjëllit të Zotit, kremtuar sot në mesditë nga dritarja e Pallatit Apostolik, në Sheshin e Shën Pjetrit, në të Dielën e Parë të Kreshmëve, Papa u ndalua tek Ungjilli i Tundimeve nga Marku (Mk 1, 12-15), “duke treguar rrugën për t’i jetuar me fryt dyzet ditët e Kreshmëve, që çojnë drejt kremtimit vjetor të Pashkëve”.

Sot është e diela e parë e Kreshmëve” - kujtoi Papa Françesku, duke nisur kështu takimin me besimtarët, hap i parë drejt kryqëzimit, vdekjes e ngjalljes së Jezu Krishtit Zot.  Sot Ungjilli – tha Ati i Shenjtë- na e paraqet Jezusin të tunduar në shkretëtirë (shih Mk 1,12-15). E teksti thotë: "Ai ndenji në shkretëtirë për dyzet ditë, i tunduar nga Shejtani". E Diela e parë e Kreshmëve erdhi me ftesën të “hyjmë në shkretëtirë”, domethënë, në heshtje, brenda vetes, duke dëgjuar zemrën, që rreh në kontakt me të vërtetën. Në shkretëtirë – shton Ungjilli i sotëm – Krishti “ishte me kafshët e egra dhe engjëjt i shërbenin” (v. 13).

Takim me bishat e me engjëjt

Bishat e egra dhe engjëjt ishin shoqëria e Jezusit Zot - vijoi Papa - “Por, në kuptimin simbolik, janë edhe shoqëria jonë. Kur hyjmë në shkretëtirën e shpirtit, mund të takojmë bisha të egra e engjëj. Në çfarë kuptimi?

“Në jetën shpirtërore mund t'i konsiderojmë si pasionet e çrregullta që na ndajnë nga zemra jonë, duke u përpjekur ta zotërojmë atë. Ato ndikojnë tek ne, duken joshëse por, nëse nuk jemi të kujdesshëm, rrezikojnë të na bëjnë copë-copë”.

Emrat e bishave, që na kërcënojë shpirtin

 Ne – vijoi të shpjegojë Papa - mund t'u japim emra këtyre "bishave" të shpirtit. Janë: “… veset e ndryshme, etja për pasuri, që të burgos në llogaritje dhe pakënaqësi, kotësia e kënaqësisë, që të dënon me shqetësim e vetmi, e akoma, lakmia e famës, që lind pasigurinë dhe nevojën e vazhdueshme për dukje dhe protagonizëm, e kështu me radhë”.

 Ato janë bisha “të egra” dhe si të tilla duhen zbutur e duhen luftuar: përndryshe do ta gllabërojnë lirinë tonë.

Shija e Parajsës

Ju duhet të shkoni në shkretëtirë për të vënë re praninë e tyre dhe për t'u ndeshur me ta – u kujtoi Papa besimtarëve, që e ndiqnin nga të katër anët e botës. - E Kreshmët janë koha për ta bërë këtë. Më pas do të shijoni praninë e engjëjve... Duke i kujtuar, Papa u ndalua tek shpirtrat engjëllorë.

Ata janë të dërguarit e Zotit, të cilët na ndihmojnë, na bëjnë mirë; karakteristika e tyre sipas Ungjillit është shërbimi (Mk 1,13): pikërisht e kundërta e zotërimit, tipike e pasioneve për të cilat po flisnim më parë:

“Në vend të kësaj, shpirtrat engjëllorë na kujtojnë mendimet dhe ndjenjat e mira që burojnë nga Shpirti Shenjt. Ndërsa tundimet na copëtojnë, frymëzimet e mira hyjnore na bashkojnë në harmoni: ato qetësojnë zemrën, rrënjosin shijen e Krishtit, "shijen e Parajsës".

Duhet të heshtim e të lutemi

“Kështu rendi dhe paqja kthehen në shpirt, pavarësisht rrethanave të jetës, qofshin të favorshme apo të kundërta, kujtoi Papa, pas shpjegimit që i bëri turmës së prekur thellë në shpirt nga këto fjalë, të cilat kanë të bëjnë me ç’ka më të çmuar njeriu: vdekje e jetë!

Ishin një lloj ftese për të bërë tonat mendimet dhe ndjenjat e frymëzuara nga Hyji,  gjë që - vijoi - mund ta arrijmë duke heshtur dhe  duke hyrë në lutje:

“E Kreshmët janë koha për ta bërë këtë”.

Ta pyesim veten…

Ndërsa hedhim hapat e para të rrugëtimit të Kreshmëve – Papa u kërkoi si zakonisht në përfundim të lutjes besimtarëve  t'i bëjnë vetes pyetje: sot, dy. Para së gjithash: cilat janë pasionet e çrregullta, “bishat” që më trazojnë në zemër? Është mirë t'i njohësh, t'u vësh emër, të kuptosh taktikat e tyre. Më pas,  një pyetje e dytë: për ta lejuar zërin e Zotit t'i flasë zemrës sime dhe ta ruaj atë për të mirë, a të tërhiqem pak në "shkretëtirë", domethënë, a t’i kushtoj hapësirë ​​heshtjes, lutjes, adhurimit, duke dëgjuar fjalën e Zotit?

Këto, pyetjet e sotme të Papës, drejtuar shpirtit tonë, në sa ecim nëpër trojet e shkreta  të Kohës së Kreshmëve, drejt ringjalljes së Pashkëve. Pasi të kalojnë edhe disa javë të tjera në kërkim të paqes, pas Krishtit, të tunduar, në shketëtirë.

Në përfundim të Engjëllit të Zotit, lutja e Papës që nuk mungon kurrë, drejtuar Zojës Bekuar:

“Na ndihmoftë në udhëtim Virgjëra Shenjte, e cila e mbajti Fjalën dhe nuk e la veten të preket nga tundimet e të ligut”.

Ushtrimet e shpirtit

 Sot nisin ushtrimet shpirtërore për Kurien Romake. Françesku ftoi kardinajtë  e pranishëm në Romë, krerët e dikastereve dhe eprorët e Kuries, ta jetojnë këtë periudhë në mënyrë personale duke “pezulluar aktivitetin e tyre të punës dhe duke iu kushtuar lutjes deri të premten, më 23 shkurt 2024. Gjatë kësaj jave të gjitha angazhimet e Atit të Shenjtë do të pezullohen, duke përfshirë audiencën e përgjithshme të së mërkurës, 21 shkurt.

17 shkurt 2024, 17:50

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >