Kërko

Pope Francis' Angelus Pope Francis' Angelus

Papa: lutje e vëllazërim për të ndërtuar një botë që të jetë “shtëpi” e jo “treg”

Në lutjen e Engjëllit të Zotit, Papa Françesku nxiti për të nisur gjatë Kreshmëve udhën e bashkimit, të mëshirës e të afërsisë, për të shembur muret e heshtjes e të indiferencës.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku, në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit, reflektoi mbi faqen e Ungjillit të sëkësaj së Diele të III të Krezhmëve, në të cilën e shikojmë Jezusin duke i dëbuar sarafët nga tempulli. E duke i qortuar rreptësisht: “Mos e bëni  treg shtëpinë e Atit tim!”, sepse nuk mund të pranoj që tempulli-treg të zëvendësojë tempullin-shtëpi.

Ungjilli i kësaj së diele nga Gjoni na flet për një skenë të ashpër ungjillore: Jezusi i dëbon tregtarët nga tempulli (shih Gjoni 2,13-25). I përzë shitësit, përmbys tezgat e këmbyesve të valutës dhe i paralajmëron ashpër të gjithë: “Mos e bëni treg shtëpinë e Atit tim” (v. 16). Shtëpia e Zotit, bëhet treg… – vijoi idhshëm Papa -  që u ndalua më pas pikërisht tek kontrasti ndërmjet shtëpisë dhe tregut: dy mënyra krejt të ndryshme për të dalë përpara Zotit.

Ndryshimi ndërmjet dy tempujve

Në tempullin e kuptuar si treg – vioi të shpjegojë Ungjillin Papa Françesku - për të qenë në rregull me Zotin, mjaftonte të blije një qengj, ta paguaje e ta piqje në prushin e altarit. Duhet të blije, të paguaje, të konsumoje e, më pas, secili të shkonte në shtëpi të vet. Ndërsa në tempullin e kuptuar si shtëpi, ndodhte e kundërta: njeriu shkonte për të takuar Zotin, për t'u bashkuar me Të dhe me vëllezërit, për të ndarë së bashku gëzimet dhe hidhërimet.

E akoma: në treg luhej me çmimin, në shtëpi nuk llogaritej; në treg kërkoje interesat e tua, në shtëpi gjithçka jepej falas.

Jezusi nuk pranon marrëdhënie tregtare me Zotin

 Jezusi sot është i ashpër - shpjegoi Papa - sepse nuk pranon që tempulli- treg të zëvendësojë tempullin-shtëpi

“… që marrëdhënia me Zotin të jetë e largët dhe tregtare, në vend që të jetë e ngushtë dhe e besueshme; që tezgat e shitjes të zënë vendin e sofrës familjare; çmimet, vendin e përqafimeve e monedhat, atë të ledhatimeve. Sepse në këtë mënyrë krijohet një pengesë ndërmjet Zotit dhe njeriut e ndërmjet vëllait me vëlla, ndërsa Krishti erdhi për të sjellë bashkim, mëshirë dhe afërsi”.

Të trokasim besimplotë në derën e Atit

Ftesa, pra, edhe për udhëtimin tonë të Kreshmëve - kujtoi Papa - është të bëjmë brenda vetes dhe rreth nesh më shumë shtëpi e më pak një tregje. Para së gjithash në takimet me  Zotin. Po si?

“Duke u lutur shumë, si fëmijë që trokasin pa u lodhur me besim në derën e Atit, jo si tregtarë dorështrënguar dhe mosbesues. Dhe pastaj duke përhapur vëllazërinë. Është e nevojshme”.

E Papa na fton më pas të mendojmë për heshtjen e turpshme, izoluese, ndonjëherë edhe armiqësore që hasim në shumë vende. Për shembull, për mjetet e transportit: secili i mbyllur në mendimet e veta, vetëm me problemet e veta, me veshët e bllokuar nga kufjet dhe sytë e zhytur ndë celularë.

Bota në të cilën jetojmë…

E në vijim Papa e përshkroi me penelata të errëta këtë botë, ku jetojmë. Një botë në të cilën asnjë buzëqeshje e asnjë shaka nuk jepet falas: e pse t'i dorëzohemi kësaj bote? Ta bëjmë ne hapin e parë: të përshëndesim, të lëshojmë vendin, t’u themi diçka të mirë atyre që na rrethojnë: e nëse nuk marrim përgjigje dhe dikush na shikon shtrembër, do të kemi bërë shtëpi. Dhe kjo mund të zbatohet për shumë rrethana të tjera të jetës së përditshme.

Ta pyesim veten!

Këtë skenë pikturoi sot , gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa e, më pas, i drejtoi turmës së madhe të besimtarëve, mbledhur si zakonisht si bijtë rreth Atit, pyetjet që duhet t’ia bëjnë vetes një javë e një jetë:

“Ta pyesim veten: para së gjithash, si është lutja ime? Është çmim për t’u paguar apo çast i braktisjes besimplotë, kur nuk më bie në mend të shikoj orën? Dhe si janë marrëdhëniet e mia me të tjerët? A di të jap pa pritur të më japin? E të bëj hapin e parë për të thyer muret e heshtjes dhe boshllëqet e distancës?”.

Pyetje jo të lehta, që kërkojnë ndihmë. E kush mund të na ndihmojë më mirë se Nëna e Krishtit? Kësaj pyetjeje i jep përgjigjen e fundit të lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit, Papa:

“Na ndihmoftë Maria të ‘bëjmë shtëpi’ me Zotin, ndërmjet nesh dhe rreth nesh”.

03 mars 2024, 12:38

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >