Papa: dhurata dhe falja janë thelbi i lumnisë së Zotit
R.SH. / Vatikan
Në Lutjen e Engjëllit të Zotit të kësaj së Diele Papa kujtoi skenën ungjillore, që zhvillohet në Jeruzalem ku, me rastin e festës së Pashkëve hebraike, kishin ardhur edhe disa grekë, që i tërhiqte fort feja e popullit hebre (shih Gjoni 12:20-33).
Çfarë është kryqi?
Nga pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, Krishti na kujton se në Kryq do të shohim lavdinë e tij dhe të Atit (shih vv. 23,28). Po si është e mundur që lavdia e Hyjit të shfaqet pikërisht aty, në kryq? Dikush do të mendonte se kjo ndodh në Ringjallje, jo në Kryq, që është disfatë, është dështim!
Lavdi do të thotë të duash deri në fund të fundit!
Po sot Jezusi - vijoi Papa - duke folur për mundimet e tij, na thotë: "Erdhi ora që i Biri i njeriut të përlëvdohet" (v. 23). Shprehje, që kërkon përgjigjen. Po çfarë dëshiron të na thotë?
Krishti dëshiron të na thotë se për Zotin lavdia nuk përkon me suksesin, me famën as me popullaritetin njerëzor: nuk ka asgjë vetëvlerësuese, nuk është manifestim madhështor i pushtetit, i ndjekur nga duartrokitjet e publikut:
“Për Zotin, lavdia është të duash derisa të japësh jetën. Të lumnohesh për Të, do të thotë të japësh vetveten, të jesh i gatshëm, të ofrosh dashurinë e tij. E kjo ndodhi kulminorisht në Kryq, ku Jezusi e shpalosi krejtësisht dashurinë e Zotit, duke e zbuluar fytyrën e mëshirës,duke na dhënë jetë e duke i falur kryqëzuesit e tij”.
Kryqi, katedra e Zotit
Prej Kryqit, “katedrës së Zotit”, Krishti na mëson se lavdia e vërtetë, ajo që nuk perëndon kurrë e që na bën të lum, përbëhet nga dhurata e falja. Dhurata dhe falja janë esenca e lavdisë së Zotit. E janë për ne mënyra e jetesës sonë.
“Dhurata dhe falja: kritere shumë të ndryshme nga ajo që shohim rreth nesh, madje edhe brenda nesh, kur mendojmë për lavdinë si për diçka që merret dhe jo që jepet; si diçka që zotërohet, jo që ofrohet!”.
Lumnia e kësaj bote është kalimtare
Por lumnia e kësaj bote kalon - vijoi të shpjegojë Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Zotit - dhe nuk të lë gëzim në zemër; as nuk të çon tek e mira e përgjithshme, por në përçarje, në grindje, në zili.
Ta pyesim veten…
E atëherë - shpjegoi Papa duke na nxitur në këtë të dielë që na çon edhe një hap më pranë Pashkëve - ta pyesim veten: cila është lavdia që dëshiroj për veten time, për jetën time, që ëndërroj për të ardhmen time? T’u bëj përshtypje të tjerëve për aftësitë e mia, apo për gjërat që kam? Apo udha e dhuratës dhe e faljes, ajo e Jezusit të Kryqëzuar, udha e atyre që nuk lodhen kurrë së dashuruari, të sigurt se kjo dëshmon Zotin në botë dhe bën të shkëlqejë bukuria e jetës?
Le të kujtojmë se kur japim e kur falim, në ne shkëlqen lavdia e Zotit – tha Papa - e si zakonisht, ia drejtoi fjalën e fundit Marisë, që të na shoqërojë gjatë gjithë kësaj jave, e cila na çon tek e Diela e Larit:
“Virgjëra Mari, e cila e ndoqi me besnikëri Jezusin në orën e mundimeve, na ndihmoftë të jemi pasqyra të gjalla të dashurisë së Krishtit”.