Papa: Krishti na do, do të mirën tonë e do që të marrim pjesë në të tijën
R.SH. / Vatikan
Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele të 6–të Pashkëve, nga Gjoni, Jezusi u drejtohet ëmbëlsisht Apostujve, jo si Zot, por si mik, e u thotë: "Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, por miq" (shih Gjoni 15:15). Duke pasuar me pyetjen: “Çfarë do të thotë kjo?” e me shpjegimin e rrëfimit biblik për shërbëtorët e Zotit. Kёshtu tha mes tjerash Ati i Shenjtë Françesku gjatë lutjes sё Mbretëreshës sё Qiellit, kremtuar sot nё mesditë, nё Sheshin e Shёn Pjetrit nё Vatikan, para mijëra besimtarësh e shtegtarësh ardhur pёr t’u lutur bashkё me Papёn.
"Shërbëtorët" e Zotit, - kujtoi Papa - janë njerëz të veçantë të cilëve Ai u beson misione të rëndësishme, si Moisiut (shih Eks. 14.31), Mbretit David (shih 2 Sam 7.8), profetit Elia (shih 1 Mbretërve 18.36), e deri tek Virgjëra Mari (shih Luka 1,38). Ata janë njerëz në duart e të cilëve Zoti lë thesaret e tij (shih Mt 25:21)”.
Kush jemi ne, për Jezusin?
Por e gjithë kjo, sipas Jezusit, nuk mjafton për të thënë se kush jemi për Të: duhet më shumë, duhet diçka më e madhe, që shkon përtej të mirave e edhe përtej projekteve: duhet miqësia:
“Që kur jemi fëmijë mësojmë sa e bukur është kjo përvojë: miqve tanë u ofrojmë lodrat dhe dhuratat më të bukura; pastaj, të rritur dhe adoleshentë, ua besojmë atyre sekretet tona të para; si të rinj ofrojmë besnikëri; si të rritur, ndajmë me ta kënaqësitë dhe shqetësimet; si të moshuar, kujtimet, vlerësimet dhe heshtjet e ditëve të gjata”.
Po çfarë është miqësia?
Në vijim Papa i jep përgjigje një pyetjeje tejet të rëndësishme për jetën e njeriut: “Çfarë është miqësia?”.
Fjala e Hyjit, në Librin e Fjalëve të Urta, na kujton se "parfumi dhe kemi gëzojnë zemrën, ndërsa këshilla e një miku, zbut shpirtin" (27.9). Të mendojmë për një çast - ftoi Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore - për miqtë tanë dhe ta falënderojmë Zotin për ta:
“Miqësia nuk është rezultat i llogaritjes, as i detyrimit: ajo lind vetvetiu kur ne shohim te tjetri diçka nga vetja. Dhe, nëse është e vërtetë, është aq e fortë sa nuk dështon as përballë tradhtisë. ‘Miku të do gjithmonë" (Pr 17,17) – si thotë përsëri Libri i Fjalëve të Urta – e si na e tregon Jezusi, kur i thotë Judës, i cili e tradhton me një puthje: ‘Mik, prandaj je këtu!’" (Mt 26,50).
Miku i vëretë nuk të braktis kurrë
Një mik i vërtetë - kujtoi në vijim Papa - nuk të braktis, edhe kur bën gabime: të korrigjon, ndoshta të qorton, por të fal dhe nuk të lëshon dore:
“E sot Jezusi, në Ungjill, na thotë se ne jemi pikërisht miq për Të: njerëz të dashur përtej çdo merite dhe çdo pritshmërie, të cilëve u shtrin dorën dhe u dhuron Dashurinë e tij, Hirin e tij, Fjalën e tij; e me të cilët ndan atë, që është edhe më e dashur, gjithçka ka dëgjuar nga Ati (shih Gjoni 15,15)”.
Deri në atë pikë, sa të bëhet i brishtë për ne, të lëshohet në duart tona pa mbrojtje dhe pa pretendime, sepse ai na do, do të mirën tonë e do që ne të marrim pjesë në të Tijën”.
Çfarë fytyre ka Zoti për mua?
Pra, le të pyesim veten - kujtoi në pëfundim të lutjes mariane të Mbretëreshës Qiellore Papa - çfarë fytyre ka Zoti për mua?
“Fytyrën e një miku, apo të një të panjohuri? A jam njeri i dashur prej Tij? E cila është fytyra e Jezusit, që ua dëshmoj të tjerëve, veçanërisht atyre që bëjnë gabime dhe kanë nevojë për ndjesë?
Nuk është e lehtë t’u japësh përgjegje këtyre pyetjeve. Jo me gojë, as me shkrim, por me jetë, duke përsëritur lutjen që Papa i drejtoi Zojës së Bekuar:
“Na ndihmoftë Maria të rritemi në miqësi me Birin e saj dhe ta përhapim atë rreth nesh”.