Papa: t'i japim hapësirë brenda nesh zërit të Shpirtit Shenjt
R. Sh. / Vatikan
Në solemnitetin e sotëm të Rrëshajëve, “vijojmë t’i lutemi Shpirtit Shenjt që të frymëzojë vullnete dhe gjeste dialogu e pajtimi për paqen në Tokën Shenjte, në gjithë Lindjen e Mesme, në Ukrainë e vende tjera”. Ky, urimi i Papës Françesku, shprehur në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në prani të shumë besimtarëve të ardhur nga vende të ndryshme.
Shpirti Shenjt na mëson gjithçka që ka dëgjuar!
Sot, në solemnitetin e Rrëshajëve - nis shpjegimin e lutjes Papa - kremtojmë zbritjen e Shpirtit Shenjt mbi Marinë dhe Apostujt. Në Ungjillin e liturgjisë, Jezusi flet për Shpirtin Shenjt dhe thotë se Ai na mëson "gjithçka që ka dëgjuar" (shih Gjoni 16:13). Por çfarë do të thotë kjo shprehje? Çfarë ka dëgjuar Shpirti Shenjt? E çfarë do të na tregojë?
Çka na tregon Shpirti Shenjt?
Ai, për ne, është dëshmitar i një dialogu të bukur: dialogut të Atit me Birin, që i shprehin dashurinë njëri-tjetrit. Ungjijtë na japin disa shpjegime: për shembull, kur Jezusi pagëzohet nga Gjoni në Jordan, dëgjohet një zë nga qielli, që thotë: "Ti je Biri im, i dashuri" (Mk 1:11); ose, para varrit të Lazrit, Jezusi thërret: “O Atë, të falënderoj [...], e dija se më dëgjon gjithmonë” (Gjn 11,41); e përsëri, në Kopshtin e Ullinjve, kur lutet: “Mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lk 22,42); në Kryq, kur ndërmjetëson për vrasësit e tij: "O Atë, fali ata se nuk dinë çfarë bëjnë" (Lk 23,34); e, më në fund, para se të vdesë: “O Atë, në duart e tua po e lëshoj shpirtin tim” (Lk 23,46).
Çfarë kuptimi kanë fjalët e shqiptuara mbi kryq?
Fjalët e thëna mbi kryq, janë fjalë që shprehin ndjenja të mrekullueshme, si dashuri, mirënjohje, besim, mëshirë. Fjalë, që na bëjnë të vetëdijshëm për një marrëdhënie të bukur, të ndritshme, konkrete dhe të qëndrueshme siç është dashuria e përjetshme e Zotit. Janë pikërisht fjalët transformuese të dashurisë, të cilat Shpirti Shenjt na i përsërit dhe është mirë që t'i dëgjojmë, sepse lindin dhe rritin në zemrat tona të njëjtat ndjenja dhe të njëjtat synime.
Të ushqehemi me fjalët e Krishtit në kryq, çdo ditë!
Prandaj është e rëndësishme të ushqehemi me fjalët e Krishtit çdo ditë, duke e lexuar dhe duke e medituar Fjalën e Zotit, duke e marrë me vete në Ungjillin e xhepit, duke përfituar nga çastet e favorshme për ta dëgjuar e ridëgjuar!
Kur flet Zoti, hesht njeriu!
Prifti dhe poeti Clemente Rebora, duke folur për kthimin e tij, shkroi një ditë në ditar: "Dhe Fjala i heshti përrallisjet e mia!" (Curriculum vitae). Dëgjimi i Fjalës së Zotit e bën të heshtë çdo bisedë njerëzore! Ja se si mund t’i japim hapësirë brenda nesh zërit të Shpirtit Shenjt. Dhe pastaj, në adhurim dhe lutje, veçanërisht në lutje të thjeshtë dhe të heshtur. E edhe duke i thënë fjalë të mira njëri-tjetrit, duke i bërë jehonë zërit të ëmbël të Ngushëlluesit për njëri-tjetrin.
Si mund ta dëgjoj më mirë zërin e Shpirtit Shenjt?
Të lexosh dhe të meditosh Ungjillin, të lutesh në heshtje, të thuash fjalë të mira, nuk janë gjëra të vështira, të gjithë mund t'i bëjmë. E pastaj, edhe ta pyesim veten: çfarë vendi zënë këto veprime në jetën time? Si mund t'i kultivoj ato, për ta dëgjuar më mirë Shpirtin Shenjt dhe për t'u bërë jehona e tij për të tjerët?
“Maria, e pranishme në Rrëshajë me Apostujt, na bëftë t’i bindemi zërit të Shpirtit Shenjt”.
Dy fjalë për Solemnitetin e Rrëshajëve
Solemniteti i Rrëshajëve kremtohet në ditën e pesëdhjetë, duke filluar nga dita e Pashkëve, pra në fund të javës së shtatë pas Pashkëve. Prandaj është festë e lëvizshme, që varet nga data e Pashkëve. E edhe festë, që shoqëron fillimin e të korrave. Emri “Pentecoste” - “Rrëshajë” është emri i lashtë grek për festën hebraike të Shavuot, festë falënderimi. Për ne, të krishterët, festa kur Shpirti Shenjt zbret mbi Marinë e mbi Apostujt! Festë e madhe, pra, e shumëpritur! Këtë na e shpjegoi sot Papa në lutjen e së dielës!