Kërko

Papa reflekton mbi emrin me të cilin thirret Shpirti Shenjt në Bibël

"Liri nuk do të thotë të bësh çfarë të duash" dhe është e vërtetë kur shprehet "në atë që duket si e kundërta, shërbimi": kështu Françesku në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar emrit "Ruach" me të cilin u quajt së pari Shpirti i Zotit në Bibël. Vetja e tretë e Trinisë ka emrin e erës, e cila pushton gjithçka, ndaj është i përshtatshëm për Të. Shpirti nuk mund të "institucionalizohet". I shpërndan dhuratat e tij si të dëshirojë!

R.SH. / Vatikan

"Gjëja e parë që mësojmë për një njeri, është emri i tij". Kjo vërejtje e Papës i prin katekizmit të sotëm gjatë audiencës së  përgjithshme, mbajtur paradite në Vatikan. Kështu Papa Françesku, duke vazhduar ciklin e katekizmit kushtuar Shpirtit Shenjt, përpiqet të shpjegojë pse Bibla e quan Shpirt Vetjen e tretë të Trinisë . "Është varianti i latinizuar" - sqaron - por emri me të cilin njihej dhe thirrej fillimisht, ishte Ruah, "që do të thotë frymë, erë, frymëmarrje". Prej këndej, titulli i katekizmit “Era fryn ku të dojë”, me të cilin Papa nënvizon se aty ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria: liria për të bërë mirë, “liria e bijve, jo e skllevërve”:

“Mos u habitni, pra, nëse ju them: ju duhet të lindni nga lart. Era fryn ku të dojë dhe ia dëgjon zërin, por nuk e di nga vjen, as ku shkon; e kështu është kush lind nga Shpirti. (Gjoni 3,6-8)”.

Emri zbulon personin

Papa Françesku shpjegon se emri është aq i rëndësishëm, sa pothuajse identifikohet me personin, që e mban:

“Nuk është kurrë emër thjesht i rastit: gjithmonë e thotë diçka për personin, zanafillën ose misionin e tij. E njëjta gjë vlen edhe për emrin Ruach. Ai përmban zbulesën e parë themelore mbi vetjen dhe funksionin e Shpirtit Shenjt”.

Fuqia dhe liria e Shpirtit në figurën e erës

Por çfarë kuptimi ka fjala Ruah - pyet Papa. - Figura e erës, që përsëritet në Bibël, shpreh 'fuqinë' e Shpirtit, sepse "era është forcë dërrmuese dhe e paepur. E aftë për të lëvizur oqeanet". Në Besëlidhjen e Re, megjithatë, Jezusi këtij aspekti i shton edhe lirinë. Era - vëren Papa - "nuk mund të shfrytëzohet absolutisht, nuk mund të ambalazhohet, nuk mund as të konservohet". “Më kot u përpoq racionalizmi modern” ta bëjë këtë. Po rezultati qe “humbja e tij, anulimi ose reduktimi në shpirtin e pastër dhe të thjeshtë njerëzor”:

Megjithatë, një tundim i ngjashëm nuk mungon as në fushën kishtare, e është dëshira për ta mbyllur Shpirtin Shenjt në kanone, institucione, përkufizime. Është Shpirti ai, që i krijon dhe i gjallëron institucionet, por që nuk mund të "institucionalizohet". Era fryn "ku të dojë", kështu  edhe Shpirti i shpërndan dhuratat e tij "ku e si të dojë"

Liria është zgjedhja për të bërë mirë

Elementi i lirisë, i  lidhur me Shpirtin e Zotit, është shumë i pranishëm te Shën Pali - vazhdoi Papa Françesku - por kjo liri nuk është ashtu si mendohet zakonisht. Nuk është "të bësh çfarë të duash", nuk do të thotë të jesh i lirë të bësh mirë apo keq. Do të thotë "liri për të bërë mirë dhe për ta  bërë lirisht". Është "liri e bijve, jo e skllevërve". Pali Apostull u shkruan Galatasve se liria nuk duhet të jetë "justifikim për mishin"! Liria e vërtetë është në kundërshtim me egoizmin dhe shprehet në shërbim. E Papa vazhdon:

“E dimë mirë kur kjo liri bëhet “pretekst për mishin”. Pali bën një listë gjithnjë aktuale: "kurvëria, papastërtia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindjet, xhelozia, mosmarrëveshjet, përçarjet, fraksionet, zilia, dehja, orgjitë dhe gjëra të tjera të tilla". Por është edhe liria, që i lejon të pasurit të shfrytëzojnë të varfërit! Liri e shëmtuar, kjo, që e lejon të fortin të shfrytëzojë të ligshtin dhe të gjithë, të shfrytëzojnë mjedisin, pa u ndëshkuar. Është një liri e shëmtuar, nuk është liria e Shpirtit”.

Falë Shpirtit, jemi të lirë për të shërbyer

Papa citoi fjalët e Jezusit, shkëputur nga Shën Gjoni ungjilltar: "Nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, ju do të jeni vërtet të lirë", për të përfunduar me një ftesë:

"T’i kërkojmë Jezusit të na bëjë, nëpërmjet Shpirtit të tij Shenjt, burra dhe gra me të vërtetë të lirë! Të lirë për të shërbyer, në dashuri dhe në gëzim!”.

05 qershor 2024, 11:33

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >