Papa Françesku: edhe kur jeta na duket pa shpresë, me Zotin mund ta fillojmë nga e para
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku vijon terapitë në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, pasi doli të dielën nga spitali Gemelli i Romës, prandaj sot (26 mars) nuk u mbajt audienca e përgjithshme e së mërkurës, por si zakonisht gjatë këtyre javëve, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi tekstin e katekezës. Në të, Papa u bën thirrje besimtarëve të mos e humbin kurrë shpresën, sepse Zoti na jep gjithmonë mundësinë për të filluar nga e para.
Në katekezën, që bën pjesë në ciklin kushtuar takimeve në jetën e Jezu Krishtit, Françesku përqendrohet në episodin biblik të gruas samaritane, i cili rrëfehet në Ungjillin sipas Gjonit.
Zoti na takon në “udhëkryqet” e jetës sonë
E njohim të gjithë episodin ungjillor: gruaja samaritane takon Jezusin pranë një pusi. Pasi i jep ujë zbulon se është Mesia. Gjatë bisedës, Jezu Krishti i kujton të kaluarën e saj dhe i ofron "ujin e gjallë", që simbolizon jetën e amshuar. E shndërruar nga ky takim, ajo lë amforën me ujë, vrapon në fshat dhe i sjell të tjerët te Jezusi.
Pasi reflektoi, të mërkurën e kaluar, mbi takimin ndërmjet Jezusit dhe Nikodemit, Papa vë në dukje në tekst se si ai, ashtu edhe takimi me samaritanen, dëshmon se Jezu Krishti na pret në një "udhëkryq" të caktuar të jetës sonë. Për samaritanen, takimi me Të ishte tronditës, pasi ka të ngjarë të ndihej e turpëruar për jetën e saj. "Ndoshta, ndihej e gjykuar, e dënuar dhe e pakuptuar", shkruan Papa, duke vërejtur se ajo grua kishte pasur pesë burra dhe tani ishte me një të gjashtë, që nuk ishte burri i saj.
Për të shkuar nga Judea në Galile, reflekton Ati i Shenjtë, Jezusi mund të zgjidhte një rrugë tjetër dhe të mos kalonte nëpër Samari. Megjithatë, nënvizon Papa: "Ai dëshiron të kalojë andej dhe ndalon pikërisht pranë atij pusi, pikërisht në atë kohë të caktuar!"
Jezusi na pret kur e kemi humbur çdo shpresë
Kjo, nënvizoi Papa, tregon se "Jezusi na pret" dhe "na lejon ta gjejmë pikërisht kur mendojmë se nuk ka mbetur më shpresë për ne". "Ai e ndihmon samaritanen ta rishikojë historinë e saj, e cila është e ndërlikuar dhe e dhimbshme", pohon Papa, duke kujtuar se si ajo e kupton gradualisht se Zoti e do.
"Çfarë kumtimi mund t’u çonte ajo njerëzve nëse jo përvojën se Dikush e kuptoi, e mirëpriti, e fali?", pyet Ati i Shenjtë në tekst. Kjo, thekson ai, "duhet të na bëjë të reflektojmë në kërkimin e mënyrave të reja për të ungjillëzuar".
Samaritania bën kthesë
Ashtu si njeriu i dashuruar, samaritania e lë amforën me ujë te këmbët e Jezusit. "Pesha e asaj amfore mbi kokë, sa herë që kthehej në shtëpi", vëren Papa, "i kujtonte gjendjen e saj, jetën e saj të trazuar. Por tani, anforën e la në këmbët e Jezusit". Prandaj, vë në dukje Ati i Shenjtë, "e kaluara nuk është më barrë; ajo është e pajtuar" me jetën e vet, sepse është e pajtuar me Zotin. "Kështu është edhe për ne", vëren Papa.
“Për të kumtuar Ungjillin - përfundon Ati i Shenjtë - së pari duhet ta vendosim barrën e historisë sonë në këmbët e Zotit, t'i lëmë Atij peshën e së kaluarës”.
"Të dashur vëllezër dhe motra", e mbyll katekezën Papa Françesku, "të mos e humbasim shpresën! Edhe nëse historia jonë duket e rëndë, e ndërlikuar, ndoshta edhe e shkatërruar, kemi mundësinë t'ia dorëzojmë atë Zotit dhe të nisemi sërish për udhë. Zoti është mëshirë e na pret gjithmonë".