Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Requiem in Re minore, per coro maschile e orchestra
Programe Podcast
2025.02.12 Udienza Generale

Papa: Shpirti Shenjt na inkurajon ta përballojmë gjithçka ngjall frikë

U publikua katekizmi i audiencës së përgjithshme që Papa duhej të mbante sot, 19 mars, në Sallën Pali VI, por që u anulua për shkak të shtrimit të zgjatur në Poliklinikën Gemelli. Në tekst, Françesku ndalohet tek takimi i Jezusit me Nikodemin, "që ndodhet në errësirën e dyshimeve", në atë "errësirë", të cilën e provojmë kur "nuk e shohim qartë rrugën që duhet ndjekur". Mos u mbyllni në ngurtësitë e në zakonet: "Jeta duhet të ketë aftësinë për të ndryshuar"

R.SH. - Vatikan

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi katekizmin e Françeskut,   përgatitur për audiencën e përgjithshme, që do të mbahej sot, 19 mars, e që u anulua për shkak të qëndrimit të Papës në Poliklinikën Gemelli. Në vijim, teksti i konceptuar si pjesë e ciklit jubilar me temë “Jezu Krishti, shpresa jonë”. Është katekizimi i parë kushtuar temës "Jeta e Jezusit. Takimet"- pas atyre që thelluan “Fëmijërinë e Krishtit - e takimi në të cilin  Papa ndalohet sot, është ai me Nikodemin (Gjn 3:1-3).

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjes!

Me këtë katekizëm fillojmë të sodisim disa takime të treguara në Ungjij, për të kuptuar mënyrën se si Jezusi ngjall shpresë. Në të vërtetë, ka takime që ndriçojnë jetën dhe sjellin shpresë. Mund të ndodhë, për shembull, që dikush të na ndihmojë ta shohim nga një këndvështrim tjetër një vështirësi ose një problem që po jetojmë; ose mund të ndodhë që dikush, thjesht, të na dhurojë një fjalë, e cila na bën të mos ndjehemi vetëm në dhimbjen që po kalojmë. Ndonjëherë mund të ketë edhe takime të heshtura, ku nuk thuhet asgjë, megjithatë ato çaste na ndihmojnë të kthehemi në rrugën e duhur.

Takimi i parë në të cilin dëshiroj të ndalohem, është ai i Jezusit me Nikodemin, i rrëfyer në Kapitullin e 3-të të Ungjillit sipas Gjonit. Po nisi nga ky episod, mbasi Nikodemi është njeri që, me historinë e tij, dëshmon se mund të dalësh nga errësira dhe të gjesh guximin për të ndjekur Krishtin.

Nikodemi shkon te Jezusi natën: kohë e pazakontë për takim. Në gjuhën e Gjonit, koha shpesh ka vlerë simbolike: këtu nata është ndoshta çka ndodhet në zemrën e Nikodemit. Ai është njeri i kapërthyer në errësirën e dyshimeve, në atë errësirë ​​që përjetojmë kur nuk kuptojmë më se çfarë po ndodh në jetën tonë dhe nuk e shohim qartë rrugën, që duhet ndjekur.

Nëse je në errësirë, padyshim kërkon dritën. E Gjoni, në fillim të Ungjillit të tij, shkruan kështu: "Po vinte në botë drita e vërtetë, ajo që ndriçon çdo njeri"(1:9). Prandaj Nikodemi e kërkon Jezusin, mbasi ka ndjerë se Ai mund t’ia ndriçojë errësirën e zemrës së tij.

Megjithatë, Ungjilli na rrëfen se Nikodemi nuk mund ta kuptojë menjëherë atë që po i thotë Jezusi. Vërejmë, kështu, se në këtë dialog ka shumë keqkuptime, por edhe shumë ironi, karakteristikë e Gjonit ungjilltar. Nikodemi nuk e kupton atë që po i thotë Jezusi, sepse vazhdon të mendojë me logjikën dhe kategoritë e tij. Është njeri me personalitet të mirëpërcaktuar, ka rol publik, është një nga udhëheqësit e hebrenjve. Por shifrat ndoshta nuk vlejnë më për të. Nikodemi mendon se diçka nuk funksionon më në jetën e tij. Ndaj ndjen nevojën për ndryshim, por nuk e di nga duhet t’ia nisë.

E kjo na ndodh të gjithëve në disa nga çastet e jetës! Nëse nuk e pranojmë ndryshimin, nëse mbyllemi në ngurtësinë tonë, në zakonet tona a në mënyrat tona të të menduarit, rrezikojmë të vdesim. Jeta duhet të ndryshojë, duhet të gjejë një mënyrë të re për të dashur. E Jezusi i flet Nikodemit për një lindje të re, që nuk është vetëm e mundur, por edhe e nevojshme në çaste të caktuara të shtegtimit tonë. Në të vërtetë, shprehja e përdorur në tekst është me dy kuptime, sepse anōthen (ἄνωθεν) mund të përkthehet "nga lart" por edhe "përsëri". Pak nga pak, Nikodemi do të mendojë se këto dy kuptime shkojnë së bashku: nëse e lëmë Shpirtin Shenjt të na krijojë një jetë të re, do të lindim përsëri. Do ta gjejmë sërish atë jetë, e cila ndoshta po shuhej ndër ne.

Zgjodha të filloj me Nikodemin - shkruan Papa - edhe sepse ai është një njeri që me jetën e tij tregon se ky ndryshim është i mundur. Nikodemi do t'ia dalë mbanesh: në fund, do të jetë ndër ata që shkojnë te Pilati për të kërkuar trupin e Jezusit (shih Gjoni 19:39)! Në fund të fundit Nikodemi del në dritë, rilind,  nuk ka më nevojë të qëndrojë në terrin e natës.

Ndryshimet ndonjëherë na frikësojnë. Nga njëra anë na tërheqin, ndonjëherë i dëshirojmë, por nga ana tjetër do të dëshironim të qëndrojmë  në rehatitë tona. Kjo është arsyeja pse Shpirti Shenjt na inkurajon ta përballojmë këtë frikë. Jezusi i kujton Nikodemit - që është mësues në Izrael – se edhe izraelitët kishin frikë ndërsa ecnin në shkretëtirë. Madje u fiksuan aq në shqetësime, saqë në një çast frika e tyre mori formën e gjarpërinjve helmues (krh. Nm 21:4-9). Për t'u çliruar, duhej të shikonin gjarpërin prej bronzi që Moisiu e kishte vendosur mbi një shtyllë, domethënë, duhej të shikonin lart dhe të rrinin përpara objektit, që përfaqësonte frikën e tyre. Vetëm duke qëndruar ball-për-ball me atë që na frikëson, mund të nisim të çlirohemi.

Nikodemi, si të gjithë ne, do të jetë në gjendje ta shikojë të Kryqëzuarin, Atë, që mundi vdekjen, rrënjën e të gjitha tmerreve tona.

T’i lartojmë, prandaj sytë tanë kah Ai, që e shporuan!

Ta lejojmë Jezusin të na takojë!

Në Të gjejmë shpresën për të përballuar ndryshimet e jetës sonë dhe për të lindur përsëri!

19 mars 2025, 13:56

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >
Prev
March 2025
SuMoTuWeThFrSa
      1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031     
Next
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930