Papa: mos e mbytni fjalën e Zotit të paqes, lëreni të jetë fryt në botë
R. SH. - Vatikan
Situata në Lindjen e Mesme dhe rreziku i përhapjes së luftës nga Gaza dhe Izraeli, në vende të tjera, pas ngjarjeve të ditëve të fundit, e shqetëson shumë Papën. Shqetësim që e shprehu pas Lutjes së Engjëllit. Shpresohet që ky konflikt "tashmë veçanërisht i dhunshëm dhe i përgjakshëm, të mos përhapet më tej". Prandaj Françesku lutet për të gjitha viktimat, "veçanërisht për fëmijët e pafajshëm" dhe "për popullsinë në Palestinë, Izrael dhe Liban", duke u shprehur veçanërisht afërsinë me bashkësinë Druz në Tokën Shenjte, të dëmtuar javën e kaluar nga një raketë, e cila goditi e vrau 12 fëmijë dhe adoleshentë, që po luanin në një fushë futbolli.
Sulmet dhe vrasjet nuk mund të jenë kurrë rrugëzgjidhje
Papa kërkon "guxim për rifillimin e dialogut, që zjarri në Gazë dhe në të gjitha frontet të pushojë menjëherë dhe pengjet të lirohen", e popullsia të shpëtohet me ndihma humanitare. Bombat, vrasjet dhe dhuna nuk kanë asnjë dobi:
“Sulmet, edhe ato të përcaktuara mirë, e edhe vrasjet, nuk mund të jenë kurrë zgjidhje. Nuk ndihmojnë për të ecur në rrugën e drejtësisë, në rrugën e paqes, por lindin edhe më shumë urrejtje e hakmarrje. Mjaft, vëllezër e motra! Mjaft më! Mos e mbytni fjalën e Zotit të Paqes, por le të jetë e ardhmja e Tokës Shenjte, e Lindjes së Mesme dhe e mbarë botës! Lufta është një disfatë!”.
Të gjitha palët kërkojnë të vërtetën në Venezuelë
Të njëjtin shqetësim, pasi përmendi Lindjen e Mesme dhe Mianmarin, Papa e shprehu edhe për Venezuelën, "e cila po jeton një situatë kritike" pas rizgjedhjes së diskutueshme të Presidentit Maduro:
“U bëj thirrje të gjitha palëve që të kërkojnë të vërtetën, të ushtrojnë moderim, të shmangin çdo lloj dhune, të zgjidhin mosmarrëveshjet me dialog, të kenë në zemër të mirën e vërtetë të popullatës dhe jo interesat partiake”.
Lutja e Papës për viktimat e shirave në Indi
Françesku, pasi ia besoi vendin e Amerikës së Jugut ndërmjetësimit të Zojës së Coromotos dhe lutjes së të Lumit Josè Gregorio Hernandez, kujtoi popullsinë indiane, veçanërisht atë të Keralas, "goditur rëndë nga shirat e rrëmbyeshëm, të cilët shkaktuan rrëshqitje të shumta dheu me pasoja humbje të shumta jetësh, zhvendosje të jashtëzakonshme dhe dëme të mëdha”. Ati i Shenjtë i ftoi të luten bashkë me të "për ata që humbën jetën dhe për të gjithë njerëzit e prekur nga një fatkeqësi e tillë shkatërruese".
Françesku kujtoi edhe se të premten e kaluar në Liban u shpall i lum patriarku maronit Stefano Douayhy. “Mësues i fesë dhe bari i vëmendshëm, ai ishte dëshmitar i shpresës, gjithnjë pranë njerëzve”, gjatë periudhës së udhëheqjes të Kishës Maronite nga viti 1670 deri në 1704, “epokë e vështirë, e karakterizuar edhe nga persekutime”:
“Edhe sot populli libanez vuan shumë! Në veçanti, mendoj për familjet e viktimave të shpërthimit në Portin e Bejrutit. Shpresoj që drejtësia dhe e vërteta të vihen në vend së shpejti”.
Në ditën e kujtimit të Famullitarit Shenjt të Arsit dhe kur në disa vende festohet Festa e Famullitarit, Françesku u shprehu afërsinë dhe mirënjohjen, "të gjithë atyre famullitarëve që me zell dhe bujari, ndonjëherë edhe në mes të shumë vuajtjeve, japin gjithçka kanë për Zotin dhe për njerëzit!”.