Kërko

Papa: vajimi i Shpirtit Shenjt na sjelltë gjithnjë aromën e Krishtit në botë

Papa Françesku vazhdon reflektimin e audiencës së përgjithshme, sot kushtuar rolit të Shpirtit Shenjt në historinë e shëlbimit dhe në jetën e Kishës, Nuses së tij. Në qendër të katekizmit të audiencës së përgjithshme të kësaj së mërkureje, 21 gusht, është pagëzimi i Krishtit. Janë edhe dashuria, gëzimi, paqja, butësia, vetëkontrolli, disa nga frytet e Shpirtit Shenjt. Të krishterët janë të thirrur t’i dëshmojnë në ambientet e tyre

R.SH. / Vatikan

Në brigjet e lumit Jordan Shpirti Shenjt zbret në formën e pëllumbit mbi Jezusin. Faqja e Ungjillit të Markut (Mk 1,9-11) përshkruan skenën në të cilën një zë jehon nga qielli, prej nga dëgjohen fjalët: "Ti je im Bir ‑ Djali i dishirit…!”. Papa Françesku ia kushtoi katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, e mërkurë 21 gusht, pranisë së Shpirtit Shenjt në pagëzimin e Jezusit:

“Pjetri mori fjalën e tha: ‘Ju e dini çka ndodhi në të gjithë Judenë, duke nisur nga Galilea, pas pagëzimit të predikuar nga Gjoni; domethënë se si Zoti e shuguroi me Shpirtin Shenjt dhe me fuqi Jezusin e Nazaretit, i cili kaloi duke bërë mirë dhe duke i shëruar të gjithë" (nga Veprat e Apostujve)".

Pagëzimi në Jordan

Trinia Shenjte u takua atë çast në brigjet e Jordanit!”- kujtoi Papa gjatë katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme:

“Ati, që bëhet i pranishëm me zërin e tij; Shpirti Shenjt, që zbret mbi Jezusin në formën e pëllumbit si dhe ai, që Ati e shpall Birin e vet të dashur. Çast themelor i Zbulesës dhe i historisë së shëlbimit”.

Jezusi e përhap Shpirtin në të gjithë korpin e tij, Kishën

Vetë Jezusi do të flasë pak më vonë në Nazaret. Do të flasë e do të thotë:

"Shpirti i Zotit është mbi mua; prandaj më shenjtëroi me vajosjen".

Jezusi u “vajos nga Shpirti Shenjt” si Mbret, Profet dhe Meshtar - vijoi Papa Françesku - ashtu si vajoseshin me vaj edhe Profetët e priftërinjtë e rinj në Besëlidhjen e Vjetër. Por ky nuk është vetëm "hir personal": Jezusi do t'ia dikonte gjithë korpit të tij, Kishës. Shpirtin Shenjt, që e kishte marrë prej Atit:

“Prandaj Kisha është ‘popull i ri mbretëror, profetik dhe meshtarak’. Termi hebraik ‘Mesia’ dhe termi përkatës grek "Krishti", të dy të  Jezusit, kanë kuptimin ‘i lyer’ " ose 'i vajosur'. Vetë emri ynë si ‘të krishterë’ do të shpjegohej nga Etërit e Kishës në kuptimin e drejtpërdrejtë të ‘të vajosurit në ngjasim të Krishtit".

Shpërndajeni aromën e Krishtit tek të tjerët

“Krishti është kreu, Kryeprifti ynë: Shpirti Shenjt është vaji i parfumuar e Kisha, Korpi i Krishtit në të cilin përhapet” - shpjegoi Papa – Vaji përhap profumin që, siç thuhet më Meshën e së Enjtes së Madhe të Pashkëve, është aroma “e një jete të shenjtë” në të cilën thirren “ata që do të marrin vajosjen” me “bagëm” në Sakramentet e Pagëzimit dhe të Krezmimit. E Françesku vërejti:

“E dimë se, për fat të keq, ndonjëherë të krishterët nuk e përhapin aromën e Krishtit, por erën e keqe të mëkatit të tyre. Megjithatë, kjo nuk duhet të na largojë nga kushtimi për ta realizuar, për aq sa mundemi dhe secili në mjedisin e vet, këtë thirrje sublime për të qenë aroma e këndshme e Krishtit nëpër botë”.

Këtu flitet për t’i jetuar frytet e Shpirtit Shenjt, që janë dashuria, gëzimi, paqja, shpirtmadhësia, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, sundimi i vetvetes” - përfundon Papa – e, nëse e bëjmë këtë “ndokush rreth nesh do ta ndjejë sadopak aromën e Shpirtit të Krishtit”.

21 gusht 2024, 11:11

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >