Kërko

Papa krerëve të Singaporit: promovoni një zhvillim të ekuilibruar, gjithëpërfshirës

Papa Françesku i ftoi autoritetet e Singaporit të garantojnë drejtësinë sociale dhe kujdesin për shtëpinë tonë të përbashkët, si edhe të jenë vigjilentë në përdorimin etik të teknologjive "në mënyrë që të mos izolohemi rrezikshëm në një realitet fiktiv, të cilin s’mund ta prekim”. Papa inkurajon harmoninë ndërkulturore dhe ndërfetare, tipike për këtë qytet-shtet, kusht për bashkëpunimin vëllazëror, përtej interesave kombëtare, në kohë të “kërcënuara nga luftëra të përgjakshme”

R.SH. – Vatikan

Dita e dytë e Papës Françesku në Singapor, gjatë udhëtimit të tij në Azi e Oqeani, të cilit, pavarësisht se më i gjati i papnisë, po i vjen fundi. Vërtet, Ati i Shenjtë do të niset nesër për në Romë. Por sot, ai mori pjesë në ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes në Parlament House të qytet-shtetit, i bëri një vizitë kortezie presidentit të Republikës Tharman Shanmugaratnam, si edhe djalit të kryeministrit të parë të Singaporit, që konsiderohet ati themelues i vendit, të cilit, këto ditë, i kremtohet 101-vjetori i lindjes. Pikërisht këtë përvjetor, Ati i Shenjtë e përmendi edhe në takimin e mëpasëm, atë me autoritetet, shoqërinë civile e Trupin Diplomatik, që u mbajt në Qendrën Kulturore Universitare NUS, në universitetin më prestigjioz të Singaporit, mes grataçelave të larta e moderne, të cilat Papa i kujtoi që në fillim të fjalës së tij, për të përshkruar zhvillimin e shoqërisë vendase.

“Nga zanafilla e përvuajtur, ky komb ka arritur një nivel të lartë zhvillimi, duke treguar se ai është rezultat i vendimeve racionale dhe jo i rastësisë: është rezultat i një angazhimi të vazhdueshëm për të përfunduar projekte dhe nisma të mirëmenduara, në harmoni me karakteristikat specifike të vendit”.

Orkidea, që iu dhurua Papës në Parlament House
Orkidea, që iu dhurua Papës në Parlament House

Inteligjenca Artificiale të përdoret për të na afruar me njëri-tjetrin

“Drejtësia shoqërore dhe e mira e përbashkët mbahen në konsideratë të lartë”, nënvizoi Papa, duke lavdëruar administrimin e vendit e duke vënë në pah politikat e mira publike për banimin, arsimin e cilësisë së lartë dhe sistemin shëndetësor. E jo më pak, edhe përpjekjet për të mbështetur më të brishtët e popullsisë, si edhe emigrantët, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga përparimi i jashtëzakonshëm i vendit.

“Teknologjitë e sofistikuara të epokës dixhitale dhe zhvillimet e shpejta në përdorimin e inteligjencës artificiale nuk mund të na bëjnë të harrojmë se është thelbësore të kultivojmë marrëdhënie reale dhe konkrete njerëzore; dhe se këto teknologji mund të shfrytëzohen pikërisht për të na afruar me njëri-tjetrin, duke nxitur mirëkuptimin dhe solidaritetin, dhe jo për t’u izoluar rrezikshëm në një realitet fiktiv, që nuk preket me dorë”.

Salla e takimit me autoritetet
Salla e takimit me autoritetet

Singapori, mozaik etnish, kulturash e fesh

Singapori, vijoi Papa, është një mozaik etnish, kulturash e fesh, që bashkëjetojnë në harmoni. Ky realitet favorizohet nga paanshmëria e pushtetit politik, që impenjohet në një dialog konstruktiv me të gjithë, duke i dhënë mundësi secilit të japë kontributin e tij unik për të mirën e përbashkët dhe duke mos lejuar që ekstremizmi dhe intoleranca të vënë në rrezik paqen sociale.

“Respekti i ndërsjellë, bashkëpunimi, dialogu dhe liria për të shprehur fenë, duke i qëndruar besnik ligjit të pranuar nga të gjithë, janë kushte vendimtare për suksesin dhe stabilitetin e arritur nga Singapori, janë kërkesa për një zhvillim jo konfliktual dhe kaotik, por të balancuar dhe të qëndrueshëm”.

Roli i Kishës Katolike në shoqërinë e Singaporit

Papa Françesku vuri në dukje rolin e Kishës Katolike në shoqërinë e Singaporit, që nga zanafilla e saj, kur etërit e Missions étrangères de Paris (MEP) ngritën kapelën e parë, më 1833, atë që u bë më pas katedralja e Bariut të Mirë. Katolikët janë pakicë në popullsinë e këtij qytet-shteti, ku 75% e popullsisë janë kinezë, prandaj, shumica ndjekin fenë budiste. E Kisha, përveç veprave bamirëse, ku spikat veprimtaria e motrave të Nënë Terezës, është shumë aktive në dialogun ndërfetar. Ati i Shenjtë vuri në dukje 43-vjetorin e marrëdhënieve të Singaporit me Selinë e Shenjtë dhe sqaroi qëllimin e vizitës së tij.

“Ajo synon t’i përforcojë katolikët në fe dhe t'i nxisë të vazhdojnë, me gëzim dhe përkushtim, bashkëpunimin me të gjithë burrat dhe gratë vullnetmira, për ndërtimin e një shoqërie civile të shëndetshme dhe të bashkuar, për të mirën e përbashkët dhe për një dëshmi kristaline të fesë së tyre”.

Papa Françesku me presidentin e Republikës së Singaporit
Papa Françesku me presidentin e Republikës së Singaporit

Për vëllazërimin e njerëzve dhe të kombeve

Papa kujtoi, më pas, rolin e Singaporit në arenën ndërkombëtare, duke e inkurajuar vendin të punojë për vëllazërimin e njerëzve dhe të kombeve, pa marrë parasysh vetëm interesin e ngushtë personal. Kërkoi të forcohet roli i familjes e t’i mundësohet asaj transmetimi i vlerave për brezat e rinj. Vuri në pah pozicionin unik të vendit, që i jep mundësinë të ketë kapitale, teknologji e talente për t’i bërë ballë krizës së ambientit e të impenjohet për zhvillimin e qëndrueshëm.

“Singapori – përfundoi Ati i Shenjtë - është shembull i ndritshëm i asaj, që mund të realizojë njerëzimi kur punon së bashku në harmoni, me ndjenjë përgjegjësie dhe me frymë gjithëpërfshirjeje dhe vëllazërimi. Ju inkurajoj ta vazhdoni këtë rrugë, duke besuar në premtimin e Zotit dhe në dashurinë e tij atërore për të gjithë… Zoti e bekoftë Singaporin!”

12 shtator 2024, 08:25