Kërko

Engjëlli i Tënzot i Papës në Bruksel Engjëlli i Tënzot i Papës në Bruksel

Thirrja e Françeskut për tokat e plagosura nga lufta, sidomos për Libanin

Thirrje e fuqishme e Papës, në Engjëllin e Tënzot, pas meshës në Bruksel, për një armëpushim të menjëhershëm në Liban, në Gazë, në pjesën tjetër të Palestinës, në Izrael. “Pengjet duhet të lirohen dhe të mundësohet ndihma humanitare”: këto, fjalët e Atit të Shenjtë, i cili kujtoi edhe Ukrainën, Sudanin e Mianmarin. Fenomeni migrator është mundësi për vëllazërim”, theksoi ai në Ditën e Emigrantëve dhe të Refugjatëve. Pastaj, shpallja e hapjes së procesit të lumnimit të Mbretit Baldovin

R.SH. – Vatikan

Në përfundim të kremtimit eukaristik, me të cilin i dha fund udhëtimit papnor në zemër të Evropës, pas fjalëve falënderuese të kryeipeshkvit të Brukselit, Papa kujtoi "me dhimbje dhe shqetësim të madh" zgjerimin dhe intensifikimin e konfliktit në Liban e kërkoi edhe ndalimin e të gjitha konflikteve në botën tashmë të kthyer në fuçi baruti.

Libani është një mesazh i torturuar

Shkallëzimi i luftës në Tokën e Kedrave pushton mendimet dhe lutjet e Françeskut, i cili iu referua një nga shprehjeve më të njohura të Shën Gjon Palit II, kur, duke iu drejtuar ipeshkvijve të Kishës Katolike për gjendjen në Liban, më 7 shtator 1989, pati thënë «Libani është mesazh e, ky meshazh është një projekt paqeje»:

«Libani është mesazh, - perifrazoi Papa Françesku – por, në këtë çast, është mesazh i martirizuar e kjo luftë ka pasoja shkatërrimtare mbi popullsinë: shumë, tepër njerëz vazhdojnë të vdesin ditë pas dite, në Lindjen e Mesme. Të lutemi për viktimat, për familjet e tyre, të lutemi për paqen. U bëj thirrje të gjitha palëve për ta ndalur menjëherë zjarrin në Liban, në Gazë, në pjesën tjetër të Palestinës, në Izrael. Të lirohen pengjet dhe të lejohet ndihma humanitare. Të mos e harrojmë Ukrainën e martirizuar».

Fenomeni i emigracionit është mundësi për vëllazërim

Siç bëri gjatë meshës, edhe në Engjëllin e Tënzot, Papa përmendi Ditën e sotme botërore të Emigrantëve dhe Refugjatëve, me temën "Zoti ecën me popullin e tij". Belgjika, kujtoi, "ka qenë dhe është ende destinacion për shumë emigrantë" e në këtë vend, seli e institucioneve evropiane, Ati i Shenjtë bëri thirrje:

«Të konsiderohet fenomeni migrator si mundësi për t'u rritur së bashku në vëllazërim. I ftoj të gjithë të shohin në çdo vëlla dhe motër mërgimtare fytyrën e Jezusit, që u bë mik e shtegtar në mesin tonë».

Hapja e procesit të lumnimit për mbretin Baldovin

Pasi falënderoi për mikpritjen në vendin, që është zemra e Evropës, si edhe për lutjet, sidomos për lutjet e të moshuarve e të sëmurëve, Ati i Shenjtë njoftoi se do të fillojë procesi i lumnimit për Mbretin Baldovin, i cili njihet për dëshminë e bindjeve të tij të forta të krishtera:

«Shembulli i tij si besimtar i ndriçoftë qeveritarët. Kërkoj që ipeshkvijtë belgë të angazhohen për ta çuar përpara këtë kauzë».

 Në përfundim të Engjëllit të Tënzot e të gjithë shtegtimit të tij apostolik, që fillimisht e çoi në Luksemburg e pastaj, në Belgjikë, Papa Françesku i inkurajoi belgët të ecin përpara me shpresë, siç thotë motoja e kësaj pjese të udhëtimit, i ftoi të thonë së bashku me të lutjen e Engjëllit – «sintezë e misterit të krishterë» - që meriton të thuhet çdo ditë dhe, ia besoi gjithë popullsinë e sidomos rininë, Zojës Seli e Dijes ungjillore.

29 shtator 2024, 13:01

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >