Françesku: si Bartimeu edhe ne jemi lypës të shpëtimit
R.SH. / Vatikan
Të dashur vëllezër dhe motra, të dielë të lumtur!
Sot, Ungjilli i liturgjisë (Mk 10,46-52) na flet për Jezusin, i cili shëron një njeri nga verbëria. Quhet Bartimeo, por turma në rrugë e injoron: është një lypës i varfër. Njerëzit nuk kanë sy për këtë të verbër. Asnjë pikë kujdesi, asnjë ndjenjë dhembshurie. Bartimeu nuk sheh, por dëgjon edhe dëgjohet. Bërtet, bërtet me zë të lartë: "Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!" (v. 48). Ndërkaq Jezusi e dëgjon dhe e shikon. Madje vihet në dispozicion të tij dhe e pyet: "Çfarë do që të bëj për ty?" (v. 51).
Kjo pyetje, përballë një të verbëri, duket si provokim, por përkundrazi është provë. Jezusi e pyet Bartimeun se kë po kërkon në të vërtetë dhe për çfarë arsyeje.
Kush është "Biri i Davidit" për ju? Kështu fillon Zoti t’i hapë sytë e të verbërve. Le të shqyrtojmë tre aspekte të këtij takimi, i cili bëhet dialog: klithma, besimi, udhëtimi.
Britma
Para së gjithash, britma e Bartimeut, e cila nuk është thjesht kërkesë për ndihmë. Është vetëpohim. I verbëri thotë: “Unë jam, shikomë. Unë nuk mund të shoh: Jezus, a mund të më shohësh?”. Po, Jezusi e sheh lypësin dhe e dëgjon atë, me veshët e trupit dhe me veshët e zemrës.
Besimi
Pika e dytë është besimi. “Shko, besimi yt të ka shpëtuar”, i thotë Jezusi (v. 52). Bartimeu sheh, sepse beson; Krishti është drita e syve të tij. Zoti vëren se si Bartimeu e shikon Atë, në errësirën e jetës së tij, të varfër dhe të verbër. Ungjilli na thotë se ai lë mantelin, pasurinë e fundit që kishte, për të shkuar te Jezusi. Ky besim e shpëton të verbrin, sepse është një marrëdhënie plot shpresë me Krishtin, dritën e botës.
Ndjekja
Më në fund, ndjekja: Bartimeu, i shëruar, "e ndoqi Jezusin përgjatë rrugës" (v. 52). Zoti ia hap rrugën dhe e bën hapin e tij të sigurt. Njeriu që kërkon mëshirë merr një hir të begatë: i verbëri nuk gjen vetëm shikimin, por edhe drejtimin e jetës, duke ndjekur Jezusin. Emrin e Bartimeut mund ta zëvendësojmë lehtë me tonin: edhe ne jemi lypës të shpëtimit. Të shpëtimit nga dhimbja, nga mëkati, nga lufta, nga vdekja!
Të ndriçuar nga takimi me Jezusin, mund të pyesim veten: a e shoh vëllanë tim lypës përgjatë rrugës? A e kuptoj se unë vetë jam lypës përpara Zotit? A e kërkoj me besim mëshirën e Zotit, i cili më mëshiron gjithmonë?
“T’i lutemi së bashku Marisë, agimit të shpëtimit, që ta ruaj rrugën tonë në dritën e Krishtit”.