Kërko

Papa kërkon dhuratën e paqes për popujt e munduar nga konfliktet

Në Engjëllin e Tënzot, pas përfundimit të Meshës së shenjtërimit, Françesku përsëriti thirrjen për vendet në luftë dhe nënvizoi vlerën e figurës së Shën Giuseppe Allamano-s lidhur me kujdesin për popullatat "e brishta dhe të pambrojtura". Së fundi, Papa na nxiti të luftojmë çdo formë të shfrytëzimit "të dinjitetit të tyre dhe të territoreve të tyre"

R.SH. / Vatikan 

“Të vazhdojmë lutjen për popullatat që vuajnë nga lufta – për Palestinën e torturuar, Izraelin, Libanin, Ukrainën e martirizuar, Sudanin, Myanmarin dhe gjithë të tjerat – dhe të kërkojmë dhuratën e paqes për të gjithë”.

Gjatë kremtimit të Engjëllit të Zotit, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku përsëriti thirrjen për vendet në luftë dhe u drejtoi përshëndetjen besimtarëve të ardhur për të "nderuar" shenjtorët e rinj, të sapo kanonizuar. Në veçanti besimtarët maronitë dhe "misionarët e misionaret e “Zojës Ngushëlluese", institucion i themeluar nga Shën Giuseppe Allamano përkatësisht në vitin 1901 dhe në vitin 1910.  Kujtoi edhe praninë e Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella, si dhe atë të një delegacioni "të madh" ugandas, mbledhur për 60-vjetorin e kanonizimit të dëshmorëve të Ugandës.

Thirrja për mbrojtjen e popullatave “të brishta”.

Figura e shenjtit të ri nga Castelnuovo d'Asti "na kujton se duhet të tregojmë vëmendjen e nevojshme ndaj popullatave më të brishta dhe më të cenueshme" - theksoi Papa Françesku, duke kujtuar drejtpërdrejt popullin Yanomami, me origjinë nga pylli i Amazonës. Ndërmjet tyre - kujtoi Papa, "ndodhi mrekullia e lidhur me kanonizimin e sotëm":

“U bëj thirrje autoriteteve politike dhe civile të garantojnë mbrojtjen e këtyre popujve dhe të drejtat e tyre themelore si dhe t’i kundërvihen çdo forme të shfrytëzimit të dinjitetit të tyre dhe të trojeve të tyre”.

Misioni ungjillor i çdo të krishteri

Ati i Shenjtë Françesku kujtoi edhe Ditën Botërore Misionare që kremtohej sot, me temë "Shkoni dhe ftojini të gjithë në banket", duke nënvizuar natyrën e "kumtimit" si bartës të një "takimi festiv me Zotin, që na do dhe  dëshiron të gëzojmë bashkërisht në gostinë e tij".

Siç na mësojnë shenjtorët e rinj - vijoi Françesku - "çdo i krishterë thirret të marrë pjesë në këtë mision universal, me dëshminë e tij ungjillore në çdo ambient":

“T’i mbështesim, me lutjen dhe ndihmën tonë, të gjithë misionarët që shpesh, me flijime të mëdha, e çojnë kumtin ndriçues të Ungjillit në të katër anët e tokës”.

Pasi përfundoi lutja e Engjëllit të Zotit, Papa përshkoi Sheshin e Shën Pjetrit në bordin e papamobilit, duke përshëndetur besimtarët që kishin mbushur përplot Sheshin. Si çdo të diel, nën diell, shi a dëborë…

20 tetor 2024, 14:07

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >