Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot: pasuria e vërtetë është dashuria e Zotit për ne

Në Engjëllin e Tënzot të së dielës, Papa Françesku reflekton mbi pjesën ungjillore të të riut të pasur, që e pyeti Jezusin se çfarë duhet të bëjë për të trashëguar jetën e amshuar. "Pasuria e vërtetë nuk qëndron në të mirat e kësaj bote, por në të qenit i dashur nga Zoti, duke mësuar të duam si Ai"

R.SH. – Vatikan

         Në reflektimin e tij mbi Ungjillin e së dielës, 13 tetor, gjatë Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku u përqendrua në dy veprime të të riut të pasur, i cili e pyeti Jezusin se çfarë duhet të bëjë për të trashëguar jetën e pasosur.

“Kërkonte një jetë më të plotë”

Ati i Shenjtë vuri në dukje se i riu fillimisht shkoi "duke vrapuar" te Jezusi, i nxitur, ndoshta, nga pakënaqësia ose shqetësimi, pavarësisht se ishte i pasur dhe e kishte jetesën të siguruar. “Kërkonte një jetë më të plotë”, nënvizoi Papa, siç ndodh shpesh me ata, që kanë shumë pasuri.

Nga ana e tij, Jezu Krishti e shikon atë me dashuri dhe e fton të shesë gjithçka që ka, t'ua japë të varfërve dhe ta ndjekë.

"Por, në këtë pikë, kemi një përfundim të papritur," vërejti Papa: "Djali trishtohet dhe largohet. Sa e madhe dhe e vrullshme ishte dëshira e tij për të takuar Jezusin; dhe sa i ftohtë dhe i shpejtë largimi i tij prej Tij!”

Françesku nënvizoi se edhe ne jemi në kërkim të një jete të lumtur e kuptimplote, por, ashtu si i riu i pasur, edhe ne, shpesh, imagjinojmë se të mirat materiale dhe siguria do t’i plotësojnë të gjitha dëshirat tona.

E mira për të cilën kemi etje është vetë Zoti

Ndërsa Jezu Krishti dëshiron që të zbulojmë se “e mira për të cilën kemi etje është vetë Zoti, dashuria e Tij për ne dhe jeta e pasosur që Ai dhe vetëm Ai mund të na japë”, theksoi Papa.

"Pasuria e vërtetë", shpjegoi Ati i Shenjtë, "është që Ai të na shikojë me dashuri", siç e shikoi Jezusi të riun e pasur, "dhe ta duam njëri-tjetrin duke e bërë jetën tonë dhuratë për të tjerët".

Këtë ka ndërmend Jezusi, shpjegoi Papa, kur na fton të vihemi në rrezik për dashuri, pra, "të zhvishemi nga vetvetja dhe nga siguritë tona të rreme", duke u kushtuar vëmendje njerëzve në nevojë, me të cilët të ndajmë pasurinë, talentet, miqësinë, kohën tonë.

Çfarë na bën të lumtur?

Ati i Shenjtë e përfundoi reflektimin e Engjëllit të Tënzot, duke i ftuar besimtarët ta pyesin veten: “Me çfarë është e lidhur zemra jonë? Çfarë na bën të lumtur? A e ndajmë çfarë kemi me nevojtarët?”

E në fund, nguli këmbë sërish: "Pasuria e vërtetë nuk qëndron në të mirat e kësaj bote, por në të qenit i dashur nga Zoti, duke mësuar të duam si Ai".

13 tetor 2024, 12:30

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >