Papa: larg atyre që kërkojnë përfitim, pa ndëshkim

Në Engjëllin e Tënzot, Papa Françesku nxjerr në pah qëndrimin hipokrit të disa skribëve, të cilët, të bindur në prestigjin dhe pushtetin e tyre, "pas një fasade respekti dhe legalizmi të rremë" merrnin për vete privilegje dhe silleshin "si njerëz të korruptuar", duke bërë padrejtësi, pa u ndëshkuar. Por, të kesh pushtet do të thotë të sakrifikosh vetveten, pohon Ati i Shenjtë, të jesh i butë me njerëzit, veçanërisht me më nevojtarët

R.SH. - Vatikan

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Janë fjalët që i shqipton zakonisht Papa të dielave nga Dritarja e Engjëllit e që jehojnë në Sheshin e Shën Pjetrit përplot me njerëz, me flamuj, me parrulla, me duartrokitje, të cilat nën diell a nën shi, e bëjnë të dielën vërtetë gazmore!

Sot - vijoi Papa - Ungjilli i liturgjisë (shih Mk 12,38-44) na flet për Jezusin, i cili denoncon qëndrimin hipokrit të disa skribëve përpara njerëzve (shih v. 38-40), në tempullin e Jeruzalemit.

Këtyre të fundit u qe besuar një rol i rëndësishëm në bashkësinë e Izraelit:  lexonin, transkriptoninn dhe interpretonin Shkrimet. Prandaj vlerësoheshin shumë e njerëzit i nderonin.

Paraqitja nuk përkon gjithnjë me sjelljen

 Por, përtej paraqitjes - kujtoi në vijim Papa - sjellja e tyre shpesh nuk përkonte me çka mësonin. Disa, të fortë siç ishin në prestigjin dhe pushtetin që gëzonin, i shikonin të tjerët “nga lart poshtë”, e vlerësonin veten shumë më tepër se u vlente lëkura dhe, duke u fshehur pas një fasade  respekti dhe legalizmi të rremë, siguronin për vete privilegje dhe madje arrinin deri aty, sa të kryenin vjedhje të vërteta duke dëmtuar më të ligshtit, siç janë të vejat (shih vargun 40):

“Në vend që ta përdornin rolin e tyre për t'u shërbyer të tjerëve, e shndërronin në mjet arrogance dhe manipulimi. E ndodhte që edhe lutja, për ta, rrezikonte të mos ishte më çast i takimit me Zotin, por rast për të treguar respekt dhe devotshmëri të rreme, të dobishme për të tërhequr vëmendjen e njerëzve dhe për të fituar konsensus”.

Larg atyre që kërkojnë përfitim, pa ndëshkim

Ata - vijoi Papa - duke kujtuar sjellje të tjera të papranueshme, asokohe e edhe sot…:

 “…silleshin si njerëz të korruptuar, duke nxitur një sistem shoqëror dhe fetar në të cilin ishte normale të përfitoje nga të tjerët, veçanërisht nga më të pambrojturit, duke kryer padrejtësi, të sigurt se askush nuk do t’i ndeshkonte”.

Ndaj Jezusi ju këshillon edhe sot, e sidomos sot, të qëndroni larg këtyre njerëzve - këshilloi Papa duke realizuar një paralelizëm figurativ, që i çoi besimtarët e Sheshit të Shën Pjetrit në viset e largëta të Jeruzalemit e që vijoi me porosinë sa të lashtë, aq edhe të re:  "Jini të kujdesshëm" (krh. v. 38), mos i imitoni ata”.

Krishti na mëson për autoritetin me shembullin e tij

Në të vërtetë, me fjalën dhe shembullin e tij, siç e dimë – kujtoi në vijim Françesku – Jezusi na mëson gjëra shumë të ndryshme për autoritetin:

“Ai flet me terma për flijimin e vetvetes dhe të  shërbimit të përulur (shih Mk 10,42-45), për butësinë amtare dhe atërore ndaj njerëzve (shih Lk 11,11-13), veçanërisht atyre që janë nevojtarë (Lk 10,25-37). I fton pushtetarët që t'i shikojnë të tjerët, nga pozicioni i tyre i pushtetit, jo për t'i poshtëruar, por për t'i ngritur lart, duke u dhënë shpresë dhe ndihmë”.

Pyetje me rëndësi, vetes

Si çdo të diel, lutja e Engjëllit përfundon me pyetje retorike, të cilat na kujtojnë pikërisht sjelljet tona të përditshme që shpesh edhe përsëriten nga java në javë. Pra, ne mund të pyesim veten:

“…si të sillem në fushat e mia të përgjegjësisë? A veproj me përvujtëri apo krenohem me pozitën time? A jam bujar dhe i respektueshëm me njerëzit, apo i trajtoj në mënyrë të vrazhdë dhe autoritare? E me vëllezërit dhe motrat më të brishta, a jam pranë tyre, a di si të përkulem për t'i ndihmuar të ngrihen? Kur janë rrëzuar?”.

Nuk është aspak e lehtë t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve, prej këndej, lutja:

“Na ndihmoftë Virgjëra Mari ta luftojmë tundimin e hipokrizisë brenda vetes e të bëjmë mirë pa u dukur, me thjeshtësi”.

10 nëntor 2024, 12:41

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >