Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
RRUZARJA NË LATINISHT
Programe Podcast

Françesku: ta mirëpresim Fjalën e Zotit, për të mirëpritur atë që kërkon shpresë

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa Françesku rifilloi ciklin jubilar titulluar "Jezu Krishti, shpresa jonë" e vijoi katekizmin mbi dëgjimin dhe gatishmërinë e Marisë për ta pranuar lajmin e Engjëllit Gabriel. Nga ajo, e cila u nis "në misionin më të madh që iu besua ndonjëherë krijesës njerëzore", të mësojmë për t'i besuar të Gjithëpushtetshmit në thellësi të zemrave tona, nxit Papa.

R.SH. / Vatikan

Maria, që e dëgjoi kumtimin e engjëllit Gabriel dhe i bëri vend Zotit duke u lëshuar e tëra në dorë të Tij, e që e mirëpriti "Fjalën në korpin e saj" duke u nisur "drejt misionit më të madh që iu besua ndonjëherë krijesës njerëzore", vihet pa asnjë ngurrim "në shërbim, jo ​​si skllave, por si bashkëpunëtore e Zotit Atë. Vihet plot dinjitet dhe autoritet për të  administruar, siç do të bëjë në Kanë, dhuratat e thesarit hyjnor, në mënyrë që shumë të mund t’i merrnin me të dyja duart”.

Në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot, 22 janar, në Sallën Pali VI, duke rifilluar ciklin jubilar me temë “Jezu Krishti, shpresa jonë”, në katekizmin e dytë titulluar “Fëmijëria e Jezusit”, Papa vijoi meditimin kushtuar “Kumtimit të Marisë, dëgjimit e gatishmërisë së saj” duke u ndaluar tek “pasojat e fuqisë shndërruese të Fjalës së Zotit” si dhe tek gjithçka na mëson Virgjëra, e thirrur të jetë Nëna e Mesisë.

Të mësojmë nga Maria, Nëna e Shëlbuesit e Nëna jonë, t'i hapim mirë veshët për të dëgjuar Fjalën Hyjnore, ta mirëpresim dhe ta ruajmë, që ajo t'i shndërrojë zemrat tona në tabernakuj të pranisë së tij, në shtëpi mikpritëse për njeriun e kapitur e nevojtar për shpresë.

Hiri i Zotit në Marinë

Duke u kthyer pas ndër shekuj, Papa reflektoi mbi atë që ndodhi në fshatin e vogël të Nazaretit, në Galile, "në periferi të Izraelit, zonë kufitare me paganët dhe ndotjet e tyre". Në këtë vend, aso kohe të panjohur për shumicën, "engjëlli sjell një lajm me formë e përmbajtje krejtësisht të padëgjuar aso kohe, aq sa zemra e Marisë tronditet dhe shqetësohet", vërejti Papa - duke shtuar se Engjëlli Gabriel nuk përshëndet me shprehjen klasike “Paqja qoftë me ty”, por “i drejtohet Marisë me ftesën “gëzohu!”, e njëjta që përdorën profetët për shpalljen e “ardhjes së Mesisë” dhe për fjalën e Zotit “kur i drejtohet popullit të tij, në mbarim të mërgimit”.

Për më tepër, Zoti e quan Marinë me një emër dashurie, të panjohur për historinë biblike: "kecharitoméne", që do të thotë "hirplote". Ky emër na kujton se dashuria për Zotin jeton dhe vazhdon të banojë prej kohe në zemrën e Marisë. Ndaj Zoti e quan “hirplote” mbi të gjitha gratë e i kujton se i hiri i Tij e ka skalitur, duke e bërë kryeveprën e vet.

“Mos ki frikë”

Në fillim fjalët e Engjëllit të Zotit e shqetësojnë Marinë, po më pas qetësohet menjëherë: “Mos ki frikë!” - i thotë - ashtu si u thotë Zoti “të gjithë shërbëtorëve të tij, të cilëve u beson misione të rëndësishme”: Abrahamit, Isakut, Moisiut, Jozuehit. Kjo siguri na bën të kuptojmë se “i Gjithëpushtetshmi”, “Zoti i së pamundurës” është me Marinë, është bashkë me Të, pranë Saj” - sqaroi Papa Françesku, duke saktësuar se Engjëlli Gabriel, më pas, i kumton Marisë misionin e Krishtit.

Fjala që vjen nga Lart e fton Marinë të jetë nëna e Mesisë davidike të shumëpritur. Ai do të jetë mbret jo në mënyrë njerëzore, me korp njerëzor, por në mënyrë hyjnore, shpirtërore. Emri i tij do të jetë "Jezus", që do të thotë "Zoti shpëton", duke u kujtuar të gjithëve, e përgjithmonë e jetës, se nuk është njeriu që shpëton, por shpëton vetëm Zoti.

T’i besojmë Zotit

Vasha e re, Maria, e thirrur për një "amësi krejtësisht të pashoqe", "përpiqet të kuptojë, ta marrë vesh çka po i ndodh".

Maria nuk kërkon jashtë, por përbrenda, sepse, siç na mëson Shën Agustini, "in interiore homine habitat veritas". (E vërteta banon në brendësinë e njeriut). "Dhe aty, në thellësi të zemrës së tij të hapur dhe të ndjeshme, njeriu ndjen ftesën për të besuar plotësisht në Zotin.

E i Gjithëpushtetshmi, "me Shpirtin e tij, fuqi e aftë për të hapur çka është e mbyllur pa e cenuar, pa prekur lirinë e njeriut", e mbështjell Marinë "në "renë" e pranisë së tij", përfundoi Papa, "që Biri të jetojë në Nënën e ajo, në Birin”.

22 janar 2025, 12:01

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >
Prev
March 2025
SuMoTuWeThFrSa
      1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031     
Next
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930