Papa: 'Fëmijët në mbarë botën të shfrytëzuar nga një ekonomi që nuk respekton jetën'
R.SH. / Vatikan
Pikërisht fëmijëve, e veçanërisht viktimave të shpërdorimit dhe të shfrytëzimit, ua kushtoi sot Papa Françesku katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Vatikan. Në takimin e zakonshëm të së mërkurës me besimtarë nga vende të ndryshme të botës, në Sallën Pali VI sot, 8 janar, Papa - duke kumtuar se do t'ua kushtojë edhe një herë katekizmin më të vegjëlve - u ndalua posaçërisht tek "plaga e punës së të miturve”, duke shprehur keqardhjen se ende sot është e vështirë “ta shikosh në sy një fëmijë të lënë në mëshirën e fatit, që shfrytëzohet dhe dhunohet pa mëshirë e pa droje:
Shekulli që prodhon inteligjencën artificiale dhe planifikon jetë shumëplanetare, nuk është pajtuar ende me murtajën e fëmijërisë së poshtëruar, të shfrytëzuar dhe të plagosur për vdekje. Duhet të mendojmë për këtë!
Ekonomi, që nuk respekton jetën
Papa Françesku kujtoi me dhimbje se "shumë fëmijë detyrohen të punojnë": fëmijë të mitur, që u mohohet fëmijëria e që e kanë humbur buzëqeshjen! Po "një fëmijë që nuk buzëqesh, një fëmijë që nuk qesh, që nuk ëndërron, nuk mund të jetë në gjendje as t’i bëjë të bulojnë talentet e tija - shtoi me dhimbje Papa - duke kritikuar sistemet ekonomike, që përfitojnë nga puna e fëmijëve.
Në të katër anët e tokës ka fëmijë të shfrytëzuar nga një ekonomi, që nuk e respekton jetën; ekonomi që, duke bërë kështu, e djeg depozitën tonë më të madhe të shpresës dhe të dashurisë
Plojë mbi të pafajshmit e sotëm
Fëmijët i kujtojnë Papës Shkrimin Shenjt, faqet që u kushtohen, që flasin për "këngë gëzimi" por edhe për britma zemërthyese, si në Librin e Vajtimeve. E si mund të mos kthehemi tek skenat tragjike të sotme, ku humbasin jetën qindra të mitur?
Edhe mbi Jezusin e porsalindur u tërbua sakaq stuhia e dhunës së Herodit, që masakron fëmijët e Betlehemit. Dramë e errët, kjo, që përsëritet në forma të tjera në histori!
Edhe Jezusi, Maria e Jozefi ishin "refugjatë në dhe të huaj" - theksoi Ati i Shenjtë Françesku - që u rikthye rishtas në ditët tona e, me to, në jetën e shumë të rriturve e fëmijëve, që detyrohen të largohen nga Vendi i tyre.
Të angazhohemi për mbrojtjen e të miturve
Pikërisht për fëmijët, të cilët Jezusi i priti butësisht gjatë viteve të predikimit, duke folur për thjeshtësinë dhe pastërtinë e tyre si veçori që t’i hap dyert e mbretërisë së qiejve, Papa u bëri thirrje besimtarëve, duke i nxitur të mobilizohen në mënyrë që ata të ruhen e të mbrohen:
Kushdo që e quan veten bir i Zotit dhe veçanërisht kush dërgohet për t'u sjellë lajmin e mirë të Ungjillit të tjerëve, nuk mund të qëndrojë indiferent; nuk mund të pranojë që motrave dhe vëllezërve të vegjël, në vend që të jenë të dashur dhe të mbrojtur, t'u grabitet fëmijëria, ëndrrat, gëzimet e të katandisen në viktima të shfrytëzimit dhe të përjashtimit.
Prej këndej, ftesa e Papës për t'u lutur që Zoti "t’i hapë mendjet dhe zemrat për kujdesin dhe ëmbëlsinë, në mënyrë që të gjithë fëmijët e botës të "rriten në moshë, urti e hir, duke marrë e duke dhuruar dashuri".
Në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve, Papa Françesku i nxiti sërish të punojnë, në mënyrë që të vegjlit të mbrohen dhe, në veçanti, i ftoi besimtarët frëngjisht-folës të kërkojnë “hirin e rizbulimit të vendit të rëndësishëm që zë çdo fëmijë në zemër të Zotit, që të mos jenë bashkëpunëtorë në shpërdorimet e kryera kundër tyre, por t’i dënojë vendosmërisht”.