Françesku publikon Engjëllin e Tënzot, duke falënderuar punonjësit e spitalit Gemelli
R.SH. – Vatikan
Lutje për vendet në luftë, keqardhje që nuk mundi të kremtojë meshën për Jubileun e Artistëve, falëndërimi për punonjësit shëndetësorë të Poliklinikës Gemelli në Romë, ku ndodhet i shtruar për një infeksion të rrugëve të frymëmarrjes. Kjo është përmbajtja e tekstit, që Papa Françesku nuk e lexoi sot në mesditë në Engjëllin e Tënzot, por e botoi, përmes Sallës së Shtypit të Vatikanit, pasi ai vetë ka nevojë për “pushim absolut”.
“Do të kisha dashur të isha mes jush, - shkruan Papa - por, siç e dini, jam këtu në Poliklinikën Gemelli, sepse kam ende nevojë për të mjekuar bronkitin. Ju falënderoj për dashurinë, lutjen dhe afërsinë me të cilën po më shoqëroni këto ditë, ashtu siç dua të falënderoj mjekët dhe punonjësit shëndetësorë të këtij spitali për kujdesin e tyre: bëjnë një punë të çmuar dhe shumë të lodhshme, le t'i mbështesim me lutje".
Arti, gjuhë universale
Në tekst, Ati i Shenjtë kujton Jubileun e Artistëve dhe të Botës së Kulturës, që Kisha e kremtoi sot, duke nënvizuar se arti ka forcë të kontribuojë në përhapjen e paqes. Papa shpreh keqardhjen që nuk mundi të kremtojë sot personalisht meshën kushtuar veçanërisht artistëve, të cilët kanë ardhur nga anë të ndryshme të botës, për të jetuar Ditët jubilare".
“Falenderoj Dikasterin e Vatikanit për Kulturën dhe Edukimin, që përgatiti këtë veprimtari, e cila na kujton rëndësinë e artit si gjuhë universale, që përhap bukurinë dhe bashkon popujt, duke ndihmuar për të sjellë harmoninë në botë dhe për të heshtuar çdo britmë lufte. Dua të përshëndes të gjithë artistët që morën pjesë”.
Mendimi për vendet në luftë
Në mbyllje, para ftesës për t’iu besuar Zojës, që ajo t'i ndihmojë besimtarët të jenë "si Ajo, këngëtarë dhe krijues të bukurisë, që shpëton botën", Françesku kërkon, edhe një herë, lutje për vendet në luftë.
“I ftoj të gjithë të vazhdojnë të luten për paqen në Ukrainën e martirizuar, në Palestinë, në Izrael dhe në mbarë Lindjen e Mesme, në Mianmar, në Kivu dhe në Sudan”.