Papa: Zoti nuk vjen me bujë, e shndërron jetën me një plan shprese
R.SH. - Vatikan
Lindja e Krishtit në Betlehem dhe vizita e barinjve "në udhën jubilare të katekizmit mbi Jezusin, shpresën tonë" është tema e zgjedhur nga Papa Françesku për audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI. Ashtu si të mërkurën, Françesku ia besoi leximin e tekstit të përgatitur atë Pierluigi Girolit, rozminian, zyrtar i Sekretarisë së Shtetit.
“Kështu siç jam, me bronkit, nuk mund të flas akoma - kujtoi - por shpresoj se herën tjetër do të mundem".
Zoti e shndërron jetën tonë me planin e tij të shpresës
Në katekizëm Françesku përshkroi, para së gjithash, kushtet historike dhe shoqërore, në të cilat u mishërua Biri i Zotit e, veçanërisht, mënyrën se si erdhi mes njerëzve: përvujtërisht, "në pjesën e pasme të një shtëpie, ku strehoheshin kafshët". Françesku na fton të shohim shumë më përtej kësaj vogëlsie dhe thjeshtësie.
T'i kërkojmë Zotit të dimë ta dallojmë në ligështi forcën e jashtëzakonshme të Krishtit Fëmijë, që vjen ta përtërijë botën dhe ta ndryshojë jetën tonë me planin e tij plot shpresë për mbarë njerëzimin.
Papa shpjegon se “Biri i Zotit hyn në histori duke u bërë shok udhe me ne e duke nisur të shtegtojë “që në barkun e nënës” kur Maria shkon “nga Nazareti në shtëpinë e Zakarisë dhe Elizabetës”, e akoma, pasi përfundon shtatzënia, nga Nazareti në Betlehem për regjistrimin e popullsisë”.
Zoti vjen përvujtërisht në botë
"Jezusi, bukë e zbritur nga qielli për të shuar urinë e botës", lindi në Betlehem - që do të thotë "shtëpia e bukës" - në kohën e perandorit Cezar August. Domethënë, në një “datë të saktë” dhe në “një ambient gjeografik të treguar po aq saktësisht”, në mënyrë që “universalja dhe konkretja të preknin njëra-tjetrën” - saktësoi Françesku duke cituar veprën e Benediktit XVI “Fëmijëria e Jezusit” - dhe vjen pa i çmontuar “strukturat e botës”, por me synimin për t’i “ndriçuar dhe për t’i rikrijuar nga brenda”.
Luka na tregon kështu se Zoti nuk vjen në botë me shpallje buçimtare, nuk duket në zhurmë, por e fillon përvujtërisht udhën. E kush janë dëshmitarët e parë të kësaj ngjarjeje? Janë ca barinj: burra me pak e aspak kulturë, me erë të keqe për shkak të kontaktit të vazhdueshëm me kafshët, njerëz që jetojnë në skutat e shoqërisë.
Barinjtë, të parët që morën lajmin për lindjen e Jezusit
E kjo na kujton se pikërisht ata që “ushtrojnë profesionin me të cilin vetë Zoti bëhet i njohur në gjirin e popullit të tij” – siç e lexojmë në Shkrimet - zgjidhen për të dhënë lajmin e madh të lindjes së Shëlbuesit, “Foshnjës së mbështjellë me pelena, shtrirë në një grazhd”, nënvizoi Papa.
Kështu barinjtë mësojnë se në një vend shumë të përvuajtur, të caktuar për kafshët, lindi Mesia i shumëpritur për ta, për të qenë Shpëtimtari i tyre, Bariu i tyre. Lajm, ky, që ua mrekullon zemrat, ua mbush përplot me lavdërimin e me kumtin e gëzueshëm.
Të jesh i aftë për habi përpara Zotit
Ashtu siç ka shkruar në Letrën Apostolike Admirabile signum, Françesku shpjegon se, ndryshe nga "një mori njerëzish të zënë me njëmijë punë të tjera, barinjtë bëhen dëshmitarët e parë të asaj, që është themelore", domethënë "të shpëtimit që u dhurohet", dhe që, si rrjedhim, "janë më të përvuajturit e më të varfërit, që dinë ta mirëpresin ngjarjen e Mishërimit". Për këtë arsye duhet të mësojmë prej tyre, që t'ia hapim thjeshtësisht zemrën Zotit.
Të kërkojmë edhe ne hirin që, si barinjtë, të jemi të aftë për mrekullim dhe për lavdërim përpara Zotit, e edhe të aftë për ta ruajtur çka na besoi Ai: talentet, karizmat, thirrjen tonë dhe njerëzit, që na i vë pranë.