Papa: shembulli i Marisë na mësoftë të besojmë, të shpresojmë dhe të bashkëpunojmë
R.SH. - Vatikan
Papa flet me vështirësi, “në këtë të ftohtë dimërore” dhe i kërkon “një vëllai ta lexojë katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme”, mbajtur sot paradite në Sallën Pali VI, në Vatikan. “Ai do ta lexojë më mirë se unë” – kujton Ati i Shenjtë që shqipton drejtpërdrejt vetëm përshëndetjet në spanjisht dhe italisht, në përfundim të audiencës të sotme të përgjithshme për të kërkuar, edhe një herë, lutje për paqe.
"Të mendojmë për vendet që po vuajnë nga lufta" - kujton - "Për Ukrainën e martirizuar, Izraelin, Jordaninë e sa e sa vende që po vuajnë atje! T’i kujtojmë të zhvendosurit e Palestinës dhe të lutemi për ta".
Përsa i përket katekizmit, tema e audiencës së përgjithshme të kësaj së mërkureje ishte fragment nga cikli "Jezu Krishti shpresa jonë", me vëmendje të veçantë kushtuar Marisë - "Së lumes, që besoi!" - e cila, siç tregon Luka Ungjilltar, vrapon me shpejtësi te Elizabeta(cfr Lc 1,68).
Papa dëshironte të shpjegonte, kështu, kuptimin e Magnificat. “Virgjëra Mari viziton Shën Elizabetën; por mbi të gjitha është Jezusi, në barkun e nënës , ai që viziton popullin e vet, siç thotë Zakaria në himnin e tij të lavdërimit". Kur Maria, shtatzënë me Jezusin, shkon për të vizituar kushërirën e saj, "ajo nuk kërkon të mbrohet nga bota, nuk ka frikë nga rreziqet dhe gjykimet e të tjerëve: përkundrazi, del për t’i takuar të tjerët. Kur ndjehesh i dashuruar, jeton një forcë që e vë në lëvizje dashurinë”. Maria “ndjen shtytjen e dashurisë dhe shkon të ndihmojë një grua, që është kushërira e saj, por edhe grua e moshuar, në pritje të një shtatzënie të papritur, të vështirë për t'u përballuar në atë moshë. Por Virgjëra Mari shkon te Elizabeta edhe për ta jetuar së bashku besimin në Zotin e së pamundurës dhe shpresën në përmbushjen e premtimeve të tij".
Përshëndetja e Marisë, “hirplote”, shkakton ndjesinë e profecinë tek fëmija, Gjoni, që plaka e ka në bark dhe ngjall tek ajo bekimin e dyfishtë: “Bekuar je mbi gjithë gratë e bekuar fryti i barkut tënd, Jezus!”- shkruan Luka. Por është edhe lumturia: “Lum ajo që besoi në përmbushjen e fjalës së thënë nga Zoti”.
Madhërimi, "ky lavdërim për Zotin shëlbues, që rrjedh nga zemra e shërbëtores së tij të përulur, është një kujtim solemn, që përmbledh dhe plotëson lutjen e Izraelit. E endur me rezonanca biblike, himni i madhërimit është shenjë që Maria nuk dëshiron ta këndojë "larg korit", por duke përkuar me etërit, duke shprehur dhembshurinë e saj për të përulurit, për të vegjlit që Jezusi, në predikimin e tij, do t'i shpallë "të lum".
Më tej, shpjegon katekizmi i Kishës, «prania masive e motivit të Pashkëve e bën himin Magnificat këngë shpengimi, e cila ka si sfond kujtimin e çlirimit të Izraelit nga Egjipti. Foljet janë të gjitha në të kaluarën, të mbushura me një kujtim dashurie, që e ndriçon të tashmen me besim e të ardhmen, me shpresë:
Maria i këndon hirit të së kaluarës, ndërsa është gruaja e së tashmes, që mbart në barkun e saj të ardhmen".
Kënga ndahet në dy pjesë. E para "lavdëron veprimin e Zotit në Marinë, mikrokozmosin e popullit të Hyjit që i përmbahet plotësisht besëlidhjes; e dyta shtrihet mbi veprën e Atit në makrokozmosin e historisë së bijve të tij, përmes tri fjalëve kyçe: kujtim-mëshirë-premtim.
Zoti, siç shpjegohet në tekstin e katekizmit, filloi ta shpëtojë popullin e tij nga Heksodi, "duke kujtuar bekimin universal që i ishte premtuar Abrahamit. Zoti, Hyj besnik përgjithmonë, krijoi një rrjedhë të pandërprerë dashurie plot mëshirë “nga brezi në brez” mbi njerëzit besnikë të besëlidhjes dhe tani shpall shëlbimin e Birit të tij, të dërguar për t’i shpëtuar njerëzit nga mëkatet e tyre”.
Nga Abrahami - te Jezu Krishti dhe tek bashkësia e besimtarëve, Pashkët duken kështu si kategori hermeneutike, për të kuptuar çdo çlirim të mëpasëm, deri në atë që realizoi Mesia, kur u plotësuan kohët".