Kërko

Të rinjtë pjesëmarrës në Med24 Të rinjtë pjesëmarrës në Med24

Kryeipeshkvi i Tiranës: të rinjtë të bëhen shtegtarë të paqes

Vazhdon në kryeqytetin e Shqipërisë takimi "Med24 – Shtegtarë të shpresës. Ndërtues të paqes". Tashmë në edicionin e tij të katërt pas Barit, Firences dhe Marsejës, ngjarja filloi më 15 shtator dhe do të përfundojë të shtunën. Imzot Arjan Dodaj: “Me të rinjtë punojmë për të ndërtuar një rrjet paqeje ndërmjet vendeve mesdhetare”

R.SH. – Vatikan

Gëzimi dhe lumturia karakterizojnë takimin "Med24 – Shtegtarë të shpresës. Ndërtues të paqes", që vijon në Tiranë. Filluar më 15 shtator e organizuar nga Kishat e Mesdheut, ai do të përfundojë më 21 shtator, në 10-vjetorin e vizitës së Papës Françesku në Shqipëri. Në një koment për Radio Vatikanin/Vatican Neës, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj, dëshmon për atmosferën e krijuar këto ditë ndërmjet 50 të rinjve ardhur nga 25 vende të ndryshme të Mesdheut dhe të Detit të Zi, duke ua vlerësuar forcën e duke vënë në dukje videomesazhin e Papës Françesku, i cili, të martën, u drejtoi ftesën për të qenë "shtegtarë të  shpresës, për të ndjekur shenjat e Zotit, që Mesdheu të jetë një det vëllazërimi dhe paqeje dhe jo më varrezë".

“E dimë – shpjegon imzot Dodaj – se Mesdheu karakterizohet nga realitete konflikti dhe lufte, si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në Detin e Zi, por këta të rinj kanë një forcë të madhe: atë të shpresës. Prandaj, në këto ditë të bashkëndarjes, pavarësisht nga vështirësitë dhe sprovat, në këtë përvojë, gëzimi dhe shpresa shënojnë çdo çast tonin, prandaj jemi shumë të lumtur që po e bëjmë së bashku këtë rrugëtim”.

Imzot Arjan Dodaj në Med24
Imzot Arjan Dodaj në Med24

Interpretimi i shenjave të kohës

Në Mesdhe, vijon më tej imzot Arjan Dodaj, paqja varet nga të rinjtë, “është e mundur, mund të arrihet, veçanërisht në zemrat e atyre që janë të lirë nga paragjykimet dhe nga realitetet, që shpesh e kanë kushtëzuar. Brezi i tyre është ai, që me të vërtetë do të ndërtojë paqen. Papa ua beson këtë stafetë dhe mision të shndërrimit të Mesdheut, duke u kërkuar të mësojnë së bashku, nga përvojat e tyre të ndryshme, të interpretojnë shenjat e kohës”.

Emigrantët mirëpriten dhe ndihmohen

I pyetur për emigracionin, që përdor të ashtuquajturën “udhë ballkanike”, kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit vë në dukje se “shqiptarët kanë dhuntinë e mikpritjes dhe ka një shprehje popullore që thotë: shtëpia është e Zotit dhe e mikut. Në fakt, shpesh, rruga ballkanike, që kalon edhe nga Shqipëria, nuk bën bujë. Sepse në këtë mikpritje dhe shoqërim, emigrantët mbështeten nga realitetet tona, nga strukturat, si ato të Kishës Katolike dhe të Karitasit, ku ata mund të rifitojnë pak energji dhe ku ndihmohen”.

Zoti deshi ta takonte botën përmes Mesdheut

“Mesdheu – nënvizon imzot Dodaj - nuk është thjesht një portë që përshkohet nga histori, situata apo realitete të ndryshme, nga kultura që e karakterizojnë këtë vend, por është para së gjithash porta ku u duk feja e popujve që besojnë, bijve të Abrahamit. Zoti deshi ta takonte botën përmes Mesdheut. Pikërisht në dialogun ndërmjet njerëzve dhe ndërmjet njerëzve e Zotit, vetëm dhe ekskluzivisht në këtë dialog arrihet paqja, sepse falë Zotit, falë marrëdhënieve me Të, merr vlerë dinjiteti njerëzor, ai që fatkeqësisht ka humbur dhe është nëpërkëmbur në çdo luftë dhe konflikt”.

Përvoja e Shqipërisë të kthehet në laborator

Imzot Arjan Dodaj tregon për laboratorët e paqes, në të cilët po marrin pjesë të rinjtë e Med24. “Shqipëria – vëren ai - është një thesar i vërtetë, besoj edhe për Perëndimin, për Mesdheun, pasi sjell perlën e dialogut ndërfetar. Papa Françesku, në vizitën e tij të parë këtu në Shqipëri, dhjetë vjet më parë, një pyetjeje që i bënë, iu përgjigj: "Atje nuk ka tolerancë fetare, ka vëllazërim. Ata e duan njëri-tjetrin". Pikërisht këto ditë bie 10-vjetori i vizitës së Papës Françesku, që erdhi këtu më 21 shtator 2014. Mund të themi se gjatë këtyre viteve, të rinjtë janë ndërgjegjësuar edhe më shumë se janë bartës të kësaj harmonie. Do të donim që ky përjetim të bëhej një eksperiencë laboratori për të gjithë vëllezërit dhe motrat, që kanë ardhur këto ditë dhe me të vërtetë, duket se e gjithë kjo po u bën shumë përshtypje”.

19 shtator 2024, 16:45