Kërko

 Kharkiv, on August 29, 2022 Kharkiv, on August 29, 2022

Paqe dhe falje per botën. Papa lutet për Ukrainën dhe Pakistanin

Fatkeqësitë natyrore dhe luftërat që shkaktojnë mijëra viktima dhe miliona persona të shpërngulur: për ta mendoi Papa Françesku para lutjes së Engjëllit të Tënzot në këtë të diel kaluar në L'Aquila (Itali) me rastin e Ndjesës Çelestiniane. Një thirrje e fortë e Papës për udhëheqësit e kombeve, që të kenë ndër zemra dhimbë e mëshirë!

R.SH. - Vatikan

L’Aquila me rrënojat e saj, plagët e saj, ngjarjet tragjike që e mbushën me dhimbje dhe hutim bashkësinë pas tërmetit të vitit 2009, kujton vdekjen dhe vuajtjet e sotme në botë. Prandaj Françesku, në fund të lutjes së Engjëllit Tënzot, nga Piazzale di Collemaggio e L' Aquilas, ku ndodhet sot, nuk mund të mos u kujtonte atyre, që e dëgjonin, fatkeqësitë që po shkaktojnë ngjarjet natyrore, si dhe lufta e urryer.

Solidariteti ndërkombëtar arriftë në Pakistan

Pasi falënderoi të gjithë ata, që u kujdesën për vizitën e tij sot, kryesisht Kishën dhe shoqërinë civile, Papa kujtoi pasojat katastrofike të shirave të musonit tre mujor në Pakistan, ku ka një emergjencë kombëtare me gati një mijë të vdekur, 33 milionë të evakuar dhe me rrezikun e epidemisë së kolerës. Papa Françesku shprehu afërsinë e tij dhe i lartoi Zotit lutjen:

“Në këtë vend, që pësoi një fatkeqësi të rëndë, dua t’i shpreh afërsinë time popullit të Pakistanit, të prekur nga përmbytjet me përmasa katastrofike. Lutem për viktimat e shumta, për të lënduarit dhe të zhvendosurit e edhe që solidariteti ndërkombëtar të jetë i gatshëm e bujar”.

Makina e shpëtimit është tashmë në lëvizje, por po ecën ngadalë, pavarësisht kërkesës për ndihmë nga kryeministri Shebaz Sharif: e duhet kujtuar se po flasim për fatkeqësinë më të rëndë humanitare të kësaj dekade për shkak të ndryshimeve klimatike dhe shkeljes së rregulloreve të ndryshme në vend. Shumë zona janë të paarritshme dhe ekipet e shpëtimit po përpiqen të evakuojnë mijëra njerëz nga zonat më të prekura,  provincat jugore të Balochistan dhe Sindh. Këtu shembja e digave të lumenjve  shkaktoi rrënimin e qindra shtëpive, shkatërroi rrugë dhe miliona hektarë të mbjella”.  

Papa u kërkon udhëheqësve të kombeve ndjenja njerëzore, keqardhje e mëshirë

Vendin e mëshirës sot e ka zënë lufta, e cila vazhdon të shkaktojë viktima dhe dhimbje dhe duket se nuk ka fund. Në Ukrainë dhe në shumë pjesë të tjera të botës. Edhe nga L'Aquila Françesku, ashtu si nga fillimi i konfliktit në shkurt, nuk pushon s’e kujtuari, duke iu lutur me gjithë zemër Zojës që të nxjerrë  hirin e faljes dhe të paqes për të gjithë botën:

“T’i lutemi Zojës për popullin ukrainas dhe për të gjithë popujt, që vuajnë nga luftërat. Zoti i paqes ringjalltë në zemrat e udhëheqësve të kombeve ndjenjën njerëzore dhe të krishterë të devotshmërisë e të mëshirës”.

Këto fjalë të Papës arrijnë ndërsa mbi trojet e Ukrainës lindore reshet një breshëri raketash e vijon në të gjitha frontet zjarri i luftës. Në Kiev arrin mbështeja e perëndimit ndërsa Moska, edhe pse inteligjeca britanike është skeptike, me sa duket po parashikon ta rrisë në 1,15 milionë numrin e ushtarëve të forcave të armatosura, me një shtesë prej 140 mijë vetësh. Ndërsa bota është në pritje të rezultatit të fluksit të eksportit të grurit: edhe gjashtë anije të tjera të ngarkuara me drithëra ukrainase u larguan nga portet e vendit mbi Detin e Zi.  

E, në fund të kësaj atmosfere, që duket e pashpresë, Papa e gjen shpresën tek lutja drejtuar Zojës, në përfundim të lutjes së Engjëllit:

“Mari, Nëna e mëshirës dhe Mbretëresha e paqes, lutu për ne!”.

28 gusht 2022, 13:30

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >