Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot: dashuria bashkëshortore sjell lumturinë e vërtetë

Gjatë Engjëllit të Tënzot të së dielës, Papa Françesku inkurajon çiftet e krishtera që të besojnë e të impenjohen në dashurinë bashkëshortore, në martesë dhe në mirëpritjen e dhuratës së bukur të jetës. Nganjëherë, nënvizon Ati i Shenjtë, kjo është rrugë e vështirë për t’u përshkuar, por ia vlen, sepse sjell lumturinë e vërtetë

R.SH. – Vatikan

         Dashuria bashkëshortore, në qendër të katekezës së Papës Françesku gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Kjo dashuri, nënvizoi Ati i Shenjtë është “dhuratë reciproke” ndërmjet burrit e gruas, që i përfshin ata “plotësisht, i tërheq katërcipërisht” e "përgjithmonë". Jezu Krishti flet për këtë kur, i pyetur nga farisenjtë për rastin e ndarjes, pra të mohimit të gruas nga burri, ai jo vetëm që i qorton, por shkon edhe më tej, duke shpjeguar "vlerën e dashurisë ndërmjet burrit e gruas në planin e Hyjit".

Burri dhe gruaja plotësojnë njëri-tjetrin

Papa vuri në dukje se në kohën e Krishtit "burri mund ta përzinte e ta mohonte gruan e tij, edhe për arsye të parëndësishme", sepse kështu interpretohej Shkrimi Shenjt, në mënyrë legaliste, prandaj, pozita e grave në martesë ishte shumë më e ulët në krahasim me atë të burrave. Për këtë arsye, Jezusi përqendrohet në aspektin më të rëndësishëm të dashurisë martesore.

“Gruaja dhe burri u deshën nga Krijuesi që të jenë të barabartë në dinjitet dhe të plotësojnë njëri-tjetrin duke qenë të ndryshëm, të jenë ndihmë, shoqëri për njëri-tjetrin, por njëkohësisht, edhe stimul e sfidë për zhvillim”.

Gjithmonë faleni njëri-tjetrin

Bashkëshortët ndërmarrin një jetë të re, duke e pranuar njëri-tjetrin ashtu siç janë e duke jetuar si bashku si një korp i vetëm, nënvizoi Françesku. Është lidhje “e destinuar të zgjasë jo sipas qejfit, por përgjithmonë”.

“Sigurisht, kjo kërkon besnikëri, edhe në vështirësi, respekt, sinqeritet, thjeshtësi. Kërkon të jesh i gatshëm për konfrontim, ndonjëherë edhe për diskutim, kur është e nevojshme, por gjithnjë zemërhapur për falje dhe pajtim. E, ju lutem: gjithmonë pajtohuni. Burrë e grua grinduni, bëni ç’të doni, me kusht që të bëni paqe para se të përfundojë dita. A e dini pse? – shtoi Papa duke lënë mënjanë tekstin e shkruar. – Sepse lufta e ftohtë e një dite më pas është e rrezikshme. ‘Po më thuaj o Papë si bëhet paqja?’ – ‘Mjafton një përkëdhelje’, por mos e përfundoni kurrë ditën pa bërë paqe”.

Fëmijët janë fryti më i bukur i dashurisë

Në martesë, vijoi Papa, “është themelore që bashkëshortët të jenë të hapur ndaj dhuratës së jetës, fëmijëve”. Duke kujtuar takimin e djeshëm me një nga xhandarët e Vatikanit, me tetë fëmijë, Ati i Shenjtë i quajti "fryti më i bukur i dashurisë, bekimi më i madh i Zotit" e, edhe "burim gëzimi dhe shprese për çdo shtëpi dhe për të gjithë shoqërinë".

“Dashuria është kërkuese, po, por është e bukur dhe sa më shumë përfshihemi në të, aq më shumë zbulojmë lumturinë e vërtetë”.

Lutuni për të porsamartuarit

Më pas, Françesku i ftoi besimtarët të reflektojnë mbi mënyrën se si përjetohet dashuria - "a është besnike? a është bujare?” – të verifikojnë nëse familjet “janë të hapura ndaj jetës, ndaj dhuratës së fëmijëve” dhe nëse përkrahen, “sidomos familjet më të reja e ato në vështirësi”. Së fundi, duke iu lutur Zojës së Bekuar t’i ndihmojë bashkëshortët e krishterë, Papa i inkurajoi ata t'i drejtohen "asaj, në bashkim shpirtëror" me gjithë njerëzit, që sot, janë mbledhur në shenjtëroren e Pompeit për lutjen tradicionale drejtuar Zojës Rruzare, në natën që i paraprin festës së saj liturgjike.

06 tetor 2024, 12:51

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >