Papa: çnjerëzore është lufta, që thyen zemrat e nënave
R.SH. / Vatikan
Në ditën e parë të vitit, kushtuar paqes, mendimet e Papës në Engjëllit të Zotit, kremtuar sot më 1 janar, në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, i kushtohen të gjitha nënave e, në veçanti, atyre që i kanë zemrat plot me dhimbje, "sepse fëmijët e tyre u rrëmbyen nga dhuna, nga krenaria, nga urrejtja". "Sa e bukur është paqja!” - brohoret Ipeshkvi i Romës, i cili na fton ta sodisim e ta ruajmë misterin e lindjes së Krishtit dhe të shkëmbejmë lirisht gjestet e faljes dhe pajtimit.
Në vijim lutja e Engjëllit të Zotit kremtuar nga Papa Françesku sot më 1 janar:
Të dashur vëllezër dhe motra, Gëzuar Vitin e Ri!
Befasia dhe gëzimi i Krishtlindjes vazhdojnë në Ungjillin e liturgjisë së sotme (Lk 2,16-21), që tregon ardhjen e barinjve në shpellën e Betlehemit. Pas njoftimit të engjëjve, ata "shkuan pa vonesë dhe gjetën Marinë, Jozefin e edhe Fëmijën të shtrirë në grazhd" (v. 16). Ky takim i mbush të gjithë me habi, sepse barinjtë "treguan atë që u qe thënë për fëmijën" (v. 17): i porsalinduri është "shëlbuesi", "Krishti Zot" (v. 11)!
Kështu e filloi Papa lutjen e Engjëllit të Tënzot, në këtë ditë kaq të madhe, duke i ftuar edhe të gjithë ata që e ndiqnin nga mbarë bota, për të reflektuar atë që panë barinjtë në Betlehem, domethënë foshnjën Jezus, e edhe për atë që ata nuk e panë, domethënë zemrën e Marisë, e cila i ruajti dhe i meditoi të gjitha këto fakte (shih v. 19).
Zoti erdhi në botë për të na dhuruar jetën e tij
Para së gjithash Papa shpjegoi emrin e foshnjës Jezus: ky emër hebraik do të thotë "Zoti shpëton" dhe pikërisht këtë do të bëjë.
“Zoti, erdhi në botë për të na dhënë jetën e tij. Të mendojmë për këtë: të gjithë burrat janë bij, por askush nga ne nuk zgjodhi të lindte. Ndërsa Zoti zgjodhi të lindte për ne: Jezusi është zbulesa e dashurisë së tij të amshuar e të pafund, e cila sjell paqe në botë”.
Zemra e Marisë, Nënës së Virgjër - kujtoi në vijim Papa - përkon me Mesinë e porsalindur, i cili shfaq mëshirën e Atit.
Kjo zemër është veshi që dëgjoi njoftimin e kryeengjëllit Gabriel; kjo zemër është dora e nuses dhënë Jozefit; kjo zemër është përqafimi që e rrokë Elizabetën në pleqërinë e saj. Në zemrën e Marisë rreh shpresa e shëlbimit për çdo krijesë.
Nënat kujdesen gjithmonë për fëmijët e tyre. Sot, në këtë ditë të parë të vitit, kushtuar paqes, të mendojmë për të gjitha nënat që gëzojnë zemrat e tyre dhe për të gjitha nënat që kanë zemra plot dhimbje, sepse fëmijët e tyre janë rrëmbyer nga dhuna, nga mendjemadhësia, nga krenaria, nga urrejtja.
“Sa e bukur është paqja, që ndriçon jetën e njerëzve! Sa çnjerëzore është lufta, që thyen zemrat e nënave!”.
Në dritën e këtyre reflektimeve - vijoi Papa - secili prej nesh mund ta pyesë veten: a di të hesht dhe të sodit lindjen e Jezusit? A përpiqem ta mbaj këtë Ngjarje, mesazhin e saj të mirësisë dhe të shpëtimit, në zemrën time? Dhe si mund ta kthej një dhuratë kaq të madhe me një gjest falas:
“Sot, në këtë ditë të parë të vitit, kushtuar paqes, të mendojmë për të gjitha nënat që gëzojnë në zemrat e tyre dhe për të gjitha nënat që i kanë zemrat plot me dhimbje, sepse fëmijët e tyre janë marrë nga dhuna, nga mendjemadhësia, nga urrejtja. Sa e bukur është paqja dhe sa çnjerëzore është lufta, që thyen zemrat e nënave!”.