Kërko

Papa: me djallin nuk dialogohet kurrë, e rëndësishme, ta ruash zemrën

"Të bëhesh zotërues i së mirës dhe së keqes është tundim! Është "kurthi më i rrezikshëm për zemrën e njeriut." Françesku e pohoi këtë në audiencën e përgjithshme duke njoftuar një seri të re katekizmash kushtuar temës së veseve dhe virtyteve. Vrasja e Abelit "Nuk filloi me një gur të hedhur, por me mërinë që Kaini fatkeqësisht ushqeu, duke e bërë atë përbindësh brenda vetes"

R.SH. - Vatikan

Një cikël katekizmash me temën e veseve dhe të virtyteve: filloi këtë të mërkurë, 27 dhjetor, në Sallën Pali VI. Papa Françesku e bëri të ditur duke kujtuar se pikënisja e këtij reflektimi mund të jetë libri i Zanafillës, ku përshkruhet “dinamika e së keqes dhe e tundimit” nëpërmjet takimit të të parëve tanë me gjarpërin, simbolin e së keqes. Gjarpri është "rrëshqanës tinëzar" - kujtoi Papa - mund të maskohet lehtësisht e prandaj është edhe "i rrezikshëm".

Mos u bëni kurrë padronë të së mirës e së keqes

Që në fjalët e para, gjarpri tregon se është " dialektist dredharak". Ia del shumë shpejt mbanesh t’i mashtrojë Adamin dhe Evën duke i bindur se Zoti i ka ndaluar të hanë të gjitha frutat e kopshtit, ndërsa ndalimi kishte të bënte vetëm me ato të pemës "së njohjes të së mirës dhe së keqes”. Françesku vëren:

Kjo ndalesë nuk synon t’ia ndalojë njeriut përdorimin e arsyes, siç keqinterpretohet ndonjëherë, por është një masë urtie. Si të thuash: njihi kufijtë, mos beso se je zot i çdo gjëje, e mos harro edhe se krenaria është zanafilla e gjitha të këqijave. Prandaj Zoti i bën paraardhësit zotër dhe kujdestarë të krijimit, por me dëshirën për t'i ruajtur nga pretendimi për t’u bërë të plotfuqishëm, zotërues të së mirës dhe së keqes, që është tundim. Tundim i keq edhe tani. Ky është kërcënimi më i rrezikshëm për zemrën  njerëzore”.

E keqja nuk nis me bujë

Gjarpri ngjall dyshime për mirësinë e Hyjit. E Adami dhe Eva nuk mund t'i bëjnë ballë tundimit. E Papa vijon:

Me këto histori, Bibla na shpjegon se e keqja nuk nis te njeriu në mënyrë të bujshme, kur veprimi tashmë është i dukshëm. E keqja fillon shumë më herët, kur ne nisim të argëtohemi me të, ta përkundim në fantazinë e në mendimet tona, duke përfunduar në grackat e lajkave të saj. Vrasja e Abelit nuk filloi me një gur të hedhur, por me inatin që, për fat të keq ushqeu Kaini, duke e shndërruar në përbindësh”.

Me djallin nuk dialogohet

Papa Françesku paralajmëroi dhe përsëriti disa herë: “Nuk mund të dialogosh me djallin”. "Nuk duhet diskutuar kurrë me të". Kështu bëri Jezusi në shkretëtirë: "e përzuri". E iu përgjigj provokimeve të tij vetëm me fjalët e Shkrimit Shenjt.

Kjo, porosia e Papës që, në vijim, përsëriti:

Kini kujdes: djalli është mashtrues. Mos dialogoni kurrë me të, mbasi ai është më i zgjuar se të gjithë ne dhe do të na bëjë ta paguajmë. Kur vjen tundimi, mos fol kurrë. Mbylle derën, mbyll dritaren, mbylle zemrën. Dhe kështu, do të mund të mbrohesh nga ky tundim”.

Të ruash zemrën, do të thotë të ruash një thesar

“Duhet të jemi kujdestarë të zemrës sonë”, i porosit Papa besimtarët,  duke u kujtuar se ky ishte edhe mësimi i shumë shenjtorëve:

Ruajeni zemrën. E ne duhet ta kërkojmë këtë hir, që të mësohemi ta ruajmë zemrën. Është urti - kjo - të dish ta ruash zemrën. Zoti na ndihmoftë në këtë punë. Kush e ruan zemrën, ruan një thesar. Vëllezër dhe motra, të mësohemi t’i ruajmë zemrat tona”.

27 dhjetor 2023, 11:51

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >