Kërko

Papa: drejtësia, themelore për bashkëjetesën paqësore në shoqëri

“Drejtësia” në qendër të katekizmit të Papës Françesku në audiencën e përgjithshme të kësaj së mërkureje, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Është virtyt, pohoi, "që e bën të qartë dhe e vë në zemër kërkesën e së mirës së vërtetë vetjake, e cila nuk mund të jetë e mirë e vërtetë për mua, nëse nuk është edhe e mira e të gjithëve". I drejtë është ai që kultivon ëndrrën e vëllazërisë universale, "ëndërr tejet e nevojshme, posaçërisht sot"

R. SH. - Vatikan

Pas virtytit të maturisë, temë e audiencës së përgjithshme të 20 marsit, dhe atij të durimit, të mërkurën e kaluar, Papa ia kushtoi katekizmin e sotëm drejtësisë, virtyti i dytë kryesor. “Është virtyt shoqëror par excellence” - theksoi - “sepse pa drejtësi, nuk ka paqe”. E, gjatë reflektimit, saktësoi edhe se drejtësia “është virtyt me ndikim si mbi të madhin, ashtu edhe mbi të voglin”. Në vijim, përshkroi disa karakteristika të përditshme të njeriut të drejtë, si sinqeriteti, vëmendja ndaj të tjerëve, interesi për të mirën e përbashkët, ndershmëria, duke nënvizuar nevojën për ta vlerësuar ligjshmërinë si kundërhelm të korrupsionit.

Bota pa ligje do t'i ngjante xhunglës

"Të gjithë e kuptojmë se drejtësia është themelore për bashkëjetesën paqësore në shoqëri: një botë pa ligje që respektojnë të drejtat, do të ishte botë në të cilën është e pamundur të jetosh. Do t'i ngjante xhunglës". Kështu u shpreh Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, në Sheshin e Shën Pjetrit.

Pa drejtësi, nuk ka paqe

Drejtësia “është virtyti i së drejtës. Kërkon të rregullojë me drejtësi marrëdhëniet ndërmjet njerëzve” - shpjegoi Françesku - por duhet shoqëruar me qëndrime të tjera si dashamirësia, respekti, mirënjohja. Më pas nënvizoi lidhjen e tij me paqen:

Nuk ka asnjë të mirë të vërtetë, nëse nuk është e mirë për të gjithë

Duke kaluar nga çështjet e trajtuara në "sallat e gjykatave" - në jetën e përditshme, Françesku kujton se drejtësia krijon marrëdhënie të bazuara mbi sinqeritetin me të tjerët, siç porosit Ungjilli, kur thotë se fjalët e dishepujve të Jezusit duhet të jenë të qarta: "po, po; jo, jo" (Mt 5,37). I drejti - vëren - "është i drejtë, i thjeshtë dhe i sinqertë, nuk fshihet pas maskash, paraqitet ashtu si është". Respekton ligjet dhe shpesh kujtohet të falënderojë duke pranuar atë që mori. “Nëse duam, kjo ndodh sepse u deshëm” - kujton Papa.

“Njeriu i drejtë nuk kujdeset vetëm për mirëqenien e tij, por dëshiron të mirën e gjithë shoqërisë. Nuk tundohet të mendojë vetëm për vete dhe të kujdeset veç për punët e veta, sado të ligjshme, duke i parë si të ishin e vetmja gjë që ekziston në botë. Virtyti i drejtësisë e bën të qartë - dhe e rrënjos në zemër - mendimin se nuk mund të ketë asnjë të mirë të vërtetë për njeriun, nëse nuk ka të mirë për të gjithë”.

Ligjshmëria është rruga e drejtësisë

I drejti - vijoi Papa Françesku - nëse gabon, di edhe të kërkojë falje. Madje shkon aq larg, sa të flijojë të mirën e tij vetjake për ta vënë  në dispozicion të të tjerëve. Nuk i pranon shpifjet, mashtrimet, fajdetë, "e mban fjalën", "u jep punëtorëve pagat e duhura", nuk kërkon rekomandime dhe zbaton ligjshmërinë.

“E kjo është rruga e drejtësisë, kundërhelmi i korrupsionit: sa i rëndësishëm është edukimi i njerëzve, veçanërisht i të rinjve, me kulturën e ligjshmërisë! Është mënyrë për të parandaluar kancerin e korrupsionit dhe për të çrrënjosur krimin, duke ia gërryer tokën nën këmbë”.

Të drejtët: ëndërrimtarë të vëllazërisë universale

Papa e përfundoi reflektimin duke cituar frazën e Shkrimit Shenjt: "Kush kërkon drejtësi dhe dashuri, do të gjejë jetë e lavdi", për të sqaruar se të drejtët "nuk janë humbës" në krahasim me ata, që besojnë se janë "të zgjuar dhe dinakë", përkundrazi, të drejtët i krijojnë të mirat për vete e për ata, që i rrethojnë:

“Të drejtët nuk janë moralistë, të cilët veshin petkun e censorit, por njerëz të drejtë, ‘që kanë uri e etje’ dhe ëndërrimtarë, që kanë ndër zemra dëshirën për vëllazëri universale. E pikërisht për këtë ëndërr, posaçërisht sot, kemi nevojë të madhe të gjithë”.

03 prill 2024, 11:29

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >