Kërko

Papa: në një botë që të shtyn drejt teprimit, vetëpërmbajtja jep pjekuri dhe ekuilibër

Pas virtyteve të guximit, drejtësisë dhe maturisë, virtyti i katërt kryesor, "vetëpërmbajtja", është tema për të cilën na fton të reflektojmë sot Papa në audiencën e përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, pushtuar nga një turmë e pafundme. “Është virtyt që përkon me sjelljet ungjillore të vogëlsisë dhe të butësisë. Nuk e ngrys njeriun, përkundrazi e gëzon, e bën t’i shijojë më shumë andjet e jetës”.

R.SH. / Vatikan

Me vetëpërmbajtjen, temë e katekizmit të Papës në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, përfundoi reflektimi mbi katër virtytet kryesore, me të cilat Françesku na shoqëroi javët e fundit, duke zbuluar rrënjët e pasurinë e tyre për jetën tonë. “Për grekët - vërejti Papa - praktika e virtytit kishte si objektiv lumturinë”. "Nuk është e vërtetë se vetëpërmbajtja e thinj njeriun, e bën ta harrojë buzëqeshjen - kujtoi Papa Françesku - i cili përshkroi më tej se çfarë është vetëpërmbajtja dhe kush mund të quhet njeri i matur, duke u mbështetur edhe një herë në mendimin e të parëve dhe të Katekizmit të Kishës Katolike.

“Mos e ndjek instinktin tënd dhe forcën tënde, duke kënaqur pasionet e zemrës sate. (…) Një pasion i keq e shkatërron njeriun  dhe e bën objekt talljeje për armiqtë e tij (nga Libri i Sirakut)”

Aftësi për vetëkontroll dhe masë të duhur

Për filozofët grekë, maturi do të thotë 'pushtet mbi vetveten'. “Ky virtyt, pra, është aftësi për vetëkontroll, art që të ndihmon të mos pushtohesh nga pasionet rebele” – sqaroi - e për katekizmin, është virtyti që “siguron sundimin e vullnetit mbi instinktet dhe i frenon dëshirat brenda kufijve të "ndershmërisë". E Papa vazhdoi:

“Prandaj, maturia, siç thotë fjala italiane, është virtyti i masës së duhur. Në çdo situatë, është gurrë mençurie, sepse njerëzit që veprojnë gjithmonë të shtyrë nga nervat a nga energjia, në fund të fundit nuk janë të besueshëm. Në një botë ku kaq shumë njerëz krenohen duke thënë atë që mendojnë, njeriu i matur e mendon më parë, atë që do të thotë. A e kuptoni ndryshimin? Nuk duhet ta thuash çka të vjen aty për aty ndër mend, nëse dëshiron që njerëzit të të besojnë. Mendoje më parë, atë që do të thuash!”.

Impulset e fjalët duhen frenuar

Përballë kënaqësive të jetës - vazhdoi Papa Françesku - vetëpërmbajtja na mëson të veprojmë me maturi. “Rruga e lirë e impulseve dhe liria e plotë  për kënaqësi, përfundojnë duke u kthyer kundër vetvetes e duke na zhytur në mërzi” - kujton Papa. Duke e ditur se sa shumë rëndësi kanë në marrëdhëniet njerëzore, njeriu i matur i peshon fjalët me shumë kujdes:

“Nuk lejon që një çast zemërimi të rrënojë marrëdhënie e miqësi, të cilat pastaj mund të rindërtohen me shumë vështirësi. Sidomos në jetën familjare, ku frenimet zbehen e të gjithë rrezikojmë të mos i mbajmë nën kontroll tensionet, irritimet dhe zemërimin. Ka një kohë për të folur, e një kohë për të heshtur, por të dyja kërkojnë masën e duhur”

Qortim, nëse është e nevojshme, por me mirëkuptim

Papa Françesku pohoi se të kontrollosh temperamentin, nuk do të thotë të dukesh gjithmonë i qetë, ndonjëherë mund edhe të zemërohesh ose të thuash fjalë qortuese.

“I maturi e di se asgjë nuk është më e pakëndshme se qortimi i tjetrit, por e di edhe se është i nevojshëm: përndryshe do t'i hapte rrugën e lirë së keqes. Në raste të caktuara, i maturi arrin t'i mbajë së bashku ekstremet: pohon parime absolute, pretendon vlera të padiskutueshme, por di edhe t’i kuptojë njerëzit e edhe të tregohet i ndjeshëm ndaj tyre”.

Qëndrueshmëria të jep drejtpeshim

Në një botë ku gjithçka na shtyn drejt teprimit, njeriu që e vë në praktikë maturinë, përfaqëson ekuilibrin dhe jeton vlerat shumë pranë stilit të Ungjillit, si vogëlsia, maturia, butësia - vazhdoi Papa - që në vijim kujtoi se ky njeri:

“… është i ndjeshëm, di të qajë dhe nuk i vjen turp, por as keq për vetveten. I mundur, ai ngrihet përsëri; fitimtar, është në gjendje të kthehet në jetën e tij të zakonshme, të fshehur. Nuk kërkon duartrokitje, por e di se ka nevojë për të tjerët. Nuk është e vërtetë se vetëpërmbajtja  të bën ta harrosh buzëqeshjen e gëzimin. Përkundrazi: të bën t’i shijosh më mirë   ëndjet e jetës”.

T'i lutemi Zotit - përfundoi Françesku - të na japë dhuratën e maturisë, "dhuratë e pjekurisë, e moshës, e pjekurisë emocionale, e pjekurisë shoqërore".

17 prill 2024, 11:08

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >