Kërko

  Një grua palestineze ecën mes rrënojave të ndërtesave të shkatërruara në Rafah, në Rripin jugor të Gazës Një grua palestineze ecën mes rrënojave të ndërtesave të shkatërruara në Rafah, në Rripin jugor të Gazës  (AFP or licensors)

Papa: paqja e fituar me vdekje është e tmerrshme

Në fund të audiencës së përgjithshme, Françesku kujtoi popujt viktima të luftës në Ukrainë, Palestinë, Izrael e Rohingyat në Mianmar dhe nënvizoi se fatkeqësisht investimet më fitimprurëse janë ato që lidhen me industrinë e armëve. Një lutje edhe për viktimat e përmbytjeve në Kenia, që dëmtuan rëndë 190 mijë njerëz.

R. SH. - Vatikan

Në ditën kur Kisha kujton Shën Jozefin Punëtor dhe nis Majin e Zojës, Papa Françesku, vijon të lutet për paqen dhe popujt, viktima të luftës. “Lufta është gjithmonë  disfatë, gjithmonë” - rikujton Papa gjatë përshëndetjes në fund të audiencës së përgjithshme:

“Të mendojmë për Ukrainën e martirizuar, që vijon të vuajë kaq shumë. Të mendojmë për banorët e Palestinës dhe të Izraelit, ende në luftë. Të mendojmë për Rohingya-t, për Mianmarin e të kërkojmë paqe, paqe të vërtetë për këta popuj dhe për të gjithë botën”.

“Të kërkojmë paqen, që të shkojë përpara paqja” - theksoi Papa, duke kujtuar edhe një herë se për fat të keq “sot investimet që japin më shumë të ardhura, janë në fabrikat e armëve”. Të fitosh para duke shitur vdekjen - përsëriti - është "e tmerrshme". Do të thotë ta blesh me para vdekjen, jo jetën!

Lutja për viktimat e përmbytjeve në Kenia

 Françesku ndjehet edhe pranë popullit të Kenias "në këtë kohë kur një përmbytje e rëndë mori tragjikisht jetën e shumë prej vëllezërve dhe motrave tona, duke plagosur të tjerë dhe duke shkaktuar shkatërrime të jashtëzakonshme". Deri tani numërohen 169 të vdekur për shkak të pasojave të motit të keq, që goditi Nairobin dhe zonën aty pranë, Mai Mahui, ndërsa 91 janë të zhdukur. Mbi 190 mijë, njerëzit e prekur.

“Ju ftoj të lutemi për të gjithë ata që po vuajnë pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore” - tha në përfundim Papa - duke theksuar se “edhe në mes të fatkeqësive, ne kujtojmë gëzimin e Krishtit të ngjallur”.

01 maj 2024, 11:32

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >