Kërko

Papa: lutuni me Psalmet, “simfoni e shpirtit”

"Simfoni lutjeje": këto janë psalmet e pranishme në Bibël. Papa foli për ta në audiencën e sotme të përgjithshme, duke i cilësuar "këngë" të frymëzuara nga Shpirti Shenjt, që lulëzojnë në buzët e nuses”. Nganjëherë ndër to ndjehet prania e situatës historike, vëren, por "nuk ka gjendje shpirtërore e as nevojë" në të cilën ata nuk na vijnë në ndihmë duke na marrë për dore e duke na shoqëruar drejt "orkestrimit madhështor të të “Gjithë Shenjtorëve”

R.SH. - Vatikan

Psalmet “janë këngët që vetë Shpirti i vuri në buzët e Nuses”, pra, të Kishës. Së bashku, të mbledhura në Librin e Psalmeve, formojnë "simfoninë e lutjes" në të cilën ka "lëvizje" të ndryshme, pasuria dhe rëndësia e të cilave duhen rizbuluar. Papa Françesku kërkoi që ky vit t'i kushtohej "simfonisë së madhe të lutjes", në përgatitje për Jubileun e 2025-ës. Na e kujtoi këtë edhe në katekizmin e audiencës së përgjithshme të kësaj së mërkureje, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, duke ftuar të ritingëllojnë fjalët e frymëzuara nga Shpirti Shenjt, edhe në Kishën e sotme.

Në Psalmet përfshihen shumë "lëvizje"

Në Psalme shprehet “lavdërim, falënderim, lutje, vajtim, rrëfim” dhe lloje të tjera lutjesh - vërejti Papa - Prandaj ftesa për t'i bërë fjalët e dhëna nga Shpirti Nuses së tij" duhet të kenë jehonë edhe në Kishën e sotme","për ta bërë këtë vit përgatitor jubilar,  simfoni të vërtetë lutjeje" - duke nënvizuar edhe “vendin e privilegjuar” që zënë në Besëlidhjen e Re.

"Mbi tryezën time – tregon Papa - kam një botim ukrainas" të Besëlidhjes së Re dhe të Psalmeve,  libër që i përkiste "një ushtari të vdekur në luftë e që ma patën dërguar”. Lutej në front me këtë libër". Ky djalë, i përmendur edhe herë të tjera, quhej Oleksandr dhe ishte 23 vjeç. Françesku saktëson:

Jo të gjitha psalmet - dhe jo gjithçka në secilin psalm - mund të përsëritet dhe të përvetësohet nga të krishterët, e aq më pak nga njeriu modern. Pasqyrojnë, herë pas here, situata historike dhe mendësi fetare që nuk janë më tonat. Kjo nuk do të thotë se nuk janë të frymëzuara, por se në disa aspekte lidhen me një kohë dhe një fazë të përkohshme të shpalljes, siç është edhe pjesa më e madhe e ligjit të lashtë.

Psalmet duhet të bëhen lutja jonë

Psalmet - vazhdon Papa - "ishin lutja e Jezusit, e Marisë, e Apostujve" dhe e bashkësive të krishtera, që na paraprinë. Duke i kënduar, merr pjesë në atë "orkestrimin madhështor, që është “shoqëria e shenjtorëve". I gjejmë në kremtimin e Meshës dhe në liturgjinë e orëve - kujtoi Françesku, që vijoi lirisht:

Më lejoni t’ju pyes: a luteni ndonjëherë me psalme? A e merrni Biblën ose Besëlidhjen e Re dhe e lexoni një psalm. Për shembull, kur jeni pak të trishtuar sepse keni mëkatuar, a e thoni Psalmin 50? Ka shumë psalme që na ndihmojnë të ecim përpara. Bëjeni zakon të luteni me psalme. Ju siguroj se në fund do të jeni të lum”.

Psalmet, nënvizon më tej Papa, duhet të bëhen "lutja jonë":

Nëse ka psalme, ose thjesht versete, që flasin për zemrat tona, është mirë t'i përsërisim dhe të lutemi me ta gjatë gjithë ditës. Psalmet janë lutje ‘për të gjitha stinët’: nuk ka gjendje shpirtërore apo nevojë që të mos gjejë në ta fjalët më të mira për t'i shndërruar në lutje. Ndryshe nga të gjitha lutjet e tjera psalmet, duke u përsëritur, nuk e humbasin  forcën, përkundrazi e rrisin”.

Jo vetëm kërkesë, por lavdërim dhe falënderim

Papa dha disa shembuj, që tregojnë se si fjalët e psalmeve na vijnë në ndihmë në situata të ndryshme jetësore. Në pendim, në frikë a në ankth mund të përsërisim: "Ki mëshirë për mua, o Zot, në dashurinë tënde" dhe "Zoti është bariu im...". Ose për të shprehur lidhjen tonë me Zotin, mund t'i bëjmë tonat shprehjet: “O Zot, ti je Zoti im (...) ka etje për ty shpirti im”:

Psalmet na lejojnë të mos e varfërojmë lutjen tonë duke e reduktuar vetëm në kërkesa, në një “më jep, na jep...”. (...) Na ndihmojnë të themi një lutje më pak të përqendruar tek vetvetja: lutje lavdërimi, bekimi, falënderimi; na ndihmojnë të bëhemi zëri i gjithë krijimit, duke e përfshirë atë në lavdërimin tonë”. 

Prej këndej ftesa për t'i bërë të jehojnë në Kishën e sotme, fjalët dhuruar nga Shpirti Nuses së tij", "që ta bëjmë këtë vit përgatitor për Jubileun, simfoni të vërtetë lutjeje.

19 qershor 2024, 11:22

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >