Papa: dëshmia e të krishterëve sjell kthimin e zemrave dhe mrekullinë e fesë

Ati i Shenjtë tha lutjen e Engjëllit të Tënzot, në mesditë, në festën e Shën Shtjefnit, martirit të parë të krishterimit, një ditë pas Krishtlindjes. Françesku kujtoi dëshminë e tij heroike për Jezu Krishtin, që mbolli tek të tjerët farën e besimit në Zotin, duke i shndërruar zemrat dhe duke bërë mrekullinë e fesë

R.SH. – Vatikan

Në ditën e festës së Shën Shtjefnit, martirit të parë në historinë e krishterimit, njeri vullnetmirë, që shërbente në mensat e të varfërve dhe mbarështonte bamirësinë - siç përshkruhet në Veprat e Apostujve - Papa Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, sot në mesditë, u përqendrua në besimin, që kishte dishepulli i ri në Jezu Krishtin. Kujtoi se kur e vranë me gurë, ishte i pranishëm “Sauli, persekutues i zellshëm i të krishterëve", që pas kthimit në udhën e Damaskut, do të bëhej ai, që të gjithë e njohim si shën Pali apostull.

“Sauli dhe Shtjefni – vuri në dukje Papa - persekutuesi dhe i persekutuari. Ndërmjet tyre duket sikur ka një mur të padepërtueshëm”.

Persekutimet e sotme

Në të vërtetë, "përmes dëshmisë së Shtjefnit", Zoti përgatit në zemrën e Saulit "kthimin, që do ta nxisë të bëhet Apostulli i madh" i Popujve, shpjegoi Ati i Shenjtë, prandaj, shërbimi, lutja, guximi dhe feja e shpallur nga ai djalë i vrarë, për shkak të Krishtit e, sidomos, “falja e të tjerëve ndërsa vdiste, nuk shkuan kot". Flijimi i Shtjefnit hedh një farë në zemrën e Palit, nënvizoi Papa, i cili, duke pasur parasysh kohët e sotme, vërejti se gjaku i martirëve është ende fara e të krishterëve.

“Sot, dy mijë vjet më vonë, për fat të keq, shohim se persekutimi vazhdon, ka persekutim të të krishterëve: ekzistojnë ende - dhe janë shumë – ata, që vuajnë dhe vdesin për të dëshmuar Jezu Krishtin, ashtu siç ekzistojnë ata, që ndëshkohen në nivele të ndryshme për faktin se sillen në përputhje me Ungjillin, si edhe ata, që luftojnë çdo ditë për t'u qëndruar besnikë, pa bujë, detyrave të tyre të krishtera, ndërsa bota qesh me ta dhe predikon tjetër gjë”.

Frytet e sakrificave të dëshmitarëve të Krishtit

Nuk është fjala për njerëz të dështuar, theksoi Papa, sepse dëshmia e tyre sjell risi dhe mrekulli.

“Tani, si atëherë, në të vërtetë, fara e sakrificave të tyre - e cila duket sikur vdes - mbin dhe jep fryt, sepse përmes tyre, Zoti vazhdon të bëjë mrekulli, të ndryshojë zemrat dhe t’i shpëtojë njerëzit”.

Që këtej, ftesa e Françeskut për ta pyetur veten nëse interesohemi për ata, që vriten për fenë dhe nëse jemi gati ta "dëshmojmë Ungjillin me koherencë, me përvujtëri dhe me besim", të sigurt se "fara e së mirës do të sjellë fryte" edhe kur nuk shihen "rezultate të menjëhershme".

26 dhjetor 2023, 13:08

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >