Kërko

Angelus Angelus

Papa, 'nuk mund të shkosh në Meshë dhe pastaj të flasësh keq për të gjithë'

Para lutjes së Engjëllit të Zotit të kësaj të diele, duke komentuar Ungjillin e liturgjisë nga shën Marku, Papa na fton të mos e reduktojmë marrëdhënien me Zotin në gjeste të jashtme, nëse nga brenda përçmojmë të varfërit ose sillemi në mënyrë të pandershme në punë. Nuk ka kuptim të bësh "pak vullnetarizëm" dhe më pas të përgojosh "pa mëshirë gjithçka dhe të gjithë"

R.SH. / Vatikan 

Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vartikan, Papa na kujtoi se jemi krijuar për dashuri. Nëse jo, marrëdhënia me Zotin reduktohet në gjeste të jashtme dhe ne mbetemi të papërshkueshëm nga brenda ndaj veprimit pastrues të hirit të tij Hyjnor, duke u kënaqur me mendime, mesazhe dhe sjellje të akullta, pa dashuri.

Papa Françesku e kometoi Ungjillin e liturgjisë (shih Mc 7,1-8.14-15.21-23) së diele të 22-të gjatë vitit kishtar nga shën Marku, në cilin  Jezusi - kujtoi - flet për të pastrin e të papastrin:  temë shumë e dashur për bashkëkohësit e tij, e lidhur kryesisht me respektimin e riteve dhe rregullave të sjelljes, për të shmangur çdo kontakt me sende ose njerëz të papastër dhe, nëse kjo ndodhte, për ta fshirë "njollën" (shih Lev 11-15).

Kuptimi i pastërtisë dhe i papastërtisë

Disa skribë dhe farizenj, vëzhgues të rreptë të këtyre normave, e akuzojnë Jezusin se i lejon dishepujt e tij të marrin ushqim "me duar të papastra, domethënë të palara" (Mk 7,2) - vijoi Ati i Shenjtë Françesku – E Ai përfiton nga rasti për t'i ftuar ata të mendojnë për kuptimin e "pastërtisë". Ajo - u shpjegon Jezusi - nuk lidhet me ritet e jashtme, por para së gjithash, me dëshirat e shpirtit. Prej këndej këshillimi:

“Për të qenë të pastër, nuk është nevoja t’i lani disa herë duart, nëse më pas ushqeni ndjenja të liga si lakmia, pangopësia dhe krenaria, ose qëllime të këqija si mashtrimi, vjedhja, tradhtia dhe shpifja (shih Mc 7,21- 22). Ky është ritualizëm, i cili nuk të bën më të mirë, madje nganjëherë  mund të çojë në çkujdesje, apo edhe në justifikim, me vetveten, me të tjerët e edhe me zgjedhjet e qëndrimet e kundërta me bamirësinë, që e plagosin shpirtin dhe e mbyllin zemrën”.

Çka nuk duhet bërë

E gjithë kjo - vijoi të shpjegojë Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit - është e rëndësishme për ne, që duhet ta dimë mirë çka mundemi e çka nuk mundemi:

“…nuk mundemi, për shembull, të dalim nga Mesha Shenjte e, në oborrin e kishës, të ndalemi për të shkëmbyer thashetheme të këqija dhe të pamëshirshme, për gjithçka dhe për këdo”.

Këtë theksoi Papa në vijim të lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit, duke kujtuar se nuk duhet të tregohemi të devotshëm në lutje, e më pas, në shtëpi, t’i trajtojmë anëtarët e familjes me ftohtësi dhe shkëputje, ose t’i shpërfillim prindërit e moshuar, të cilët kanë nevojë për ndihmë dhe shoqëri (shih Mk 7,10-13):

“Ose akoma, të jesh në dukje shumë i drejtë me të gjithë, ndoshta edhe duke bërë pak vullnetarizëm ose ndonjë gjest filantropik, por më pas duke kultivuar brenda vetes urrejtje për të tjerët, duke përbuzur të varfërit dhe të fundmit ose duke u sjellë në mënyrë të pandershme me punën e tjetrit”.

Jemi krijuar për dashuri e pastërti

Jemi krijuar për dashuri - theksoi Papa – nëse jo, marrëdhënia me Zotin reduktohet në gjeste të jashtme dhe ne mbetemi të papërshkueshëm nga brenda ndaj veprimit pastrues të hirit të tij, duke u kënaqur me mendime, mesazhe dhe sjellje të akullta, pa dashuri.

Nuk jemi krijuar për të jetuar pa dashuri!

Jo, ne nuk jemi krijuar për jetuar kështu, por për pastërtinë e vërtetë:

“… atë që na jep Zoti, nëse e lejojmë të largojë nga ne çdo hije egoizmi, krenarie dhe gjykimi, për të na modeluar sipas Birit të tij Jezus (shih Rm 8.29), i cili dha jetën për ne (shih 1 Gjonit 3.16).

Në përfundim, pyetja…

Ta pyesim veten, atëherë - kujtoi si zakonisht Papa në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit - a e jetoj si duhet fenë time? A e vë në jetë me ndjenja, fjalë dhe vepra e respekt ndaj vëllezërve të mi, atë që them në lutje? A i bëj të gjitha këto, që të jem bir i denjë i Zotit?

Maria, Nëna shumë e pastër, na ndihmoftë ta bëjmë jetën tonë, në dashuri të ndjerë e të praktikuar, kult të këndshëm për Hyjin (shih Rom 12,1).

01 shtator 2024, 12:51

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >