Papa: t’i hapim dritaret e dritës në netët më të errëta të njerëzimit
R.SH. / Vatikan
Në një kohë në të cilën njerëzit nuk janë më në gjendje të shpëtojnë nga vështirësitë e krijuara nga vetë ata, dhe në të cilën "ka nevojë për dritë, shpresë dhe paqe", ne duhet të ndjekim Zotin, kështu tha Papa gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit të dielës së dytë pas Krishtlindjes në pragun e Epifanisë, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjterit, në Vatikan. Ati i Shenjtë ftoi të shikojmë Ungjillin e Gjonit, i cili kujton fuqinë e dashurisë së Zotit "që nuk e lejon veten të kapërcehet nga asgjë dhe që, përtej pengesave dhe refuzimeve, vazhdon të shkëlqejë dhe të ndriçojë rrugën tonë". Krishtlindja e tregon pikërisht këtë, "kur Biri i Zotit, mishërohet, kapërcen shumë mure dhe shumë ndarje".
Sot Ungjilli (shih Gjoni 1.1-18), duke na folur për Jezusin, Fjalën e Zotit të mishëruar - shpjegoi Papa - na thotë se "drita shkëlqeu në errësirë dhe errësira nuk e mposhti" (Gjn 1.5). Na kujton, domethënë, sesa e fuqishme është dashuria e Zotit, të cilën nuk mund ta mposhtë asgjë dhe që, përtej pengesave e refuzimeve, vazhdon të shkëlqejë dhe të na e ndriçojë udhën.
Atmosfera e Krishtlindjes vijon…
E shohim në Krishtlindje - kujton Papa - kur Biri i Hyjit, i bërë njeri, kapërcen shumë mure dhe shumë ndarje. Përballon mendjen dhe zemrën e mbyllur “të të mëdhenjve" të kohës së tij, të cilët ishin më të shqetësuar për të mbrojtur pushtetin, sesa për të kërkuar Zotin (shih Mt 2,3-18). Ai jeton jetën e përvuajtur të Marisë dhe të Jozefit, të cilët e mirëpresin dhe e rrisin me dashuri, ndonëse me mundësitë dhe vështirësitë e kufizuara të atyre që nuk i kanë mjetet e nevojshme:
“Ai dhuron veten, i brishtë dhe i pambrojtur, në takimin me barinjtë (shih Luka 2,8-18), burra me zemrat e ashpëruara nga jeta dhe nga përbuzja e shoqërisë; e më pas me Tre Mbretërit (shih Mt 2,1) të cilët, të shtyrë nga dëshira për ta njohur, bëjnë një shtegtim të gjatë dhe e gjejnë në një shtëpi njerëzish të thjeshtë, në varfëri të madhe”.
Zoti nuk ndalet kurrë…
Përballë këtyre dhe shumë sfidave të tjera, Zoti nuk ndalet kurrë: gjen një mijë mënyra për t’i arritur të gjithë, e secilin prej nesh, aty ku jemi, pa llogaritje dhe pa kushte, duke hapur edhe në netët më të errëta të njerëzimit dritare drite, që errësira nuk mund ta mbulojë (shih Is 9,1-6).
“Është realitet që na ngushëllon dhe na jep guxim, sidomos në një kohë si jona, ku ka kaq shumë nevojë për dritë, shpresë dhe paqe, e kur burrat ndonjëherë krijojnë situata aq të ndërlikuara, sa duket e pamundur të dalësh prej tyre”.
Thirrje për t’i ngjarë Zotit të dashurisë
Sot Fjala e Zotit na kujton se nuk është kështu: Ajo na thërret t’i ngjasim Zotit të dashurisë, duke përhapur vezullime drite kudo që mundemi, me këdo që takojmë, në çdo rrethanë: familjare, shoqërore, ndërkombëtare. Na fton të mos kemi frikë të hedhim hapin e parë, duke hapur me ata që vuajnë, dritare të ndritshme afrimi, faljeje, dhembshurie dhe pajtimi, për ta bërë rrugën më të qartë, më të sigurt dhe më të mundshme për të gjithë:
E kjo ftesë ritingëllon në mënyrë të veçantë në Vitin Jubilar që sapo ka nisur, duke na nxitur të jemi lajmëtarë të shpresës me “po”-në e thjeshtë por konkrete jetës, me zgjedhje që sjellin jetë. Le ta bëjmë, të gjithë: kjo është rruga drejt shpëtimit!
Ta pyesim veten…
E kështu, në fillim të një viti të ri, ne mund e duhet ta pyesim veten: si mund të hap një dritare drite në mjedisin tim dhe në marrëdhëniet e mia? Ku mund të jem një vezullim drite, e cila e lë të kalojë dashurinë e Perëndisë?
Maria, ylli që na drejton tek Jezusi, na ndihmoftë të jemi për të gjithë dëshmitarë të ndritshëm të dashurisë së Atit.