Kërko

Françesku: “jo” riarmatimit, por paqe për kombet. Njeriu të jetojë në harmoni me Krijimin

Në Engjëllin e Tënzot, menjëherë pas kremtimit të meshës në stadiumin Sir John Guise, në Port Moresby, Ati i Shenjtë bën thirrje për takim ndërmjet popujve dhe kulturave dhe i lutet Shën Marisë të mbështesë të krishterët në ndjekjen e “planit të Zotit” për ta. Papa përmend edhe shenjtëroren e Lurdës, pas përmbytjes së mbrëmshme

R.SH. – Vatikan

“Jo” riarmatimit, paqe për kombet dhe për Krijimin. Nga stadiumi Sir John Guise, në Port Moresby, Françesku e përfundoi meshën para rreth 35 mijë besimtarëve me Engjëllin e Tënzot, duke iu lutur Virgjërës Shenjte që bota të jetojë në harmoni dhe bashkim.

“Nga kjo tokë e bekuar nga Krijuesi, dua që së bashku me ju e me ndërmjetësimin e Shën Marisë, të kërkoj dhuratën e paqes për të gjithë popujt. Në veçanti, e kërkoj për këtë rajon të madh të botës ndërmjet Azisë, Oqeanisë dhe Oqeanit Paqësor. Paqe, paqe për kombet e, edhe për Krijimin. ‘Jo’ riarmatimit dhe shfrytëzimit të shtëpisë së përbashkët! ‘Po’ takimit ndërmjet popujve dhe kulturave, ‘po’ harmonisë së njeriut me krijesat!”

Maria qoftë mbështetje për të krishterët

Papa i fton besimtarët t'i drejtohen me lutje Zojës, së cilës i beson "rrugën e Kishës në Papua Guinenë e Re dhe në Ishujt Solomon". Asaj, Marisë Helpim, siç quhet në vendin oqeanik, Françesku i kërkon mbrojtjen e familjeve, forcimin e bashkimit brenda tyre, i lutet t’i bëjë "ëndrat e të rinjve të bukura dhe të guximshme", të mbështesë dhe të ngushëllojë " të moshuarit”, si edhe “të sëmurët e të vuajturit”. Françesku lutet gjithashtu që Zoja t’i ndihmojë të krishterët të ndjekin “planet e Zotit, të cilat janë plane paqeje dhe drejtësie për familjen e madhe njerëzore!"

Përmbytja në shenjtëroren e Lurdës

Në përfundim, në këtë të dielë, në të cilën Kisha kremton festën liturgjike të Lindjes së Marisë, Papa i kushtoi një mendim edhe shenjtërores së Lurdës, e cila "për fat të keq u godit nga një përmbytje".

Aktualisht, një valë intensive moti të keq po godet rajonin Hautes-Pyrénées, në jugperëndim të Francës, duke shkaktuar përmbytje të mëdha. Shiu bëri që lumi i Lurdës të dalë nga brigjet mbrëmë e ta përmbysë pjesërisht shenjtëroren. Shpella e Masabielës qëndroi e mbyllur për disa orë.

08 shtator 2024, 09:00

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >