Françesku: “jo” riarmatimit, por paqe për kombet. Njeriu të jetojë në harmoni me Krijimin
R.SH. – Vatikan
“Jo” riarmatimit, paqe për kombet dhe për Krijimin. Nga stadiumi Sir John Guise, në Port Moresby, Françesku e përfundoi meshën para rreth 35 mijë besimtarëve me Engjëllin e Tënzot, duke iu lutur Virgjërës Shenjte që bota të jetojë në harmoni dhe bashkim.
“Nga kjo tokë e bekuar nga Krijuesi, dua që së bashku me ju e me ndërmjetësimin e Shën Marisë, të kërkoj dhuratën e paqes për të gjithë popujt. Në veçanti, e kërkoj për këtë rajon të madh të botës ndërmjet Azisë, Oqeanisë dhe Oqeanit Paqësor. Paqe, paqe për kombet e, edhe për Krijimin. ‘Jo’ riarmatimit dhe shfrytëzimit të shtëpisë së përbashkët! ‘Po’ takimit ndërmjet popujve dhe kulturave, ‘po’ harmonisë së njeriut me krijesat!”
Maria qoftë mbështetje për të krishterët
Papa i fton besimtarët t'i drejtohen me lutje Zojës, së cilës i beson "rrugën e Kishës në Papua Guinenë e Re dhe në Ishujt Solomon". Asaj, Marisë Helpim, siç quhet në vendin oqeanik, Françesku i kërkon mbrojtjen e familjeve, forcimin e bashkimit brenda tyre, i lutet t’i bëjë "ëndrat e të rinjve të bukura dhe të guximshme", të mbështesë dhe të ngushëllojë " të moshuarit”, si edhe “të sëmurët e të vuajturit”. Françesku lutet gjithashtu që Zoja t’i ndihmojë të krishterët të ndjekin “planet e Zotit, të cilat janë plane paqeje dhe drejtësie për familjen e madhe njerëzore!"
Përmbytja në shenjtëroren e Lurdës
Në përfundim, në këtë të dielë, në të cilën Kisha kremton festën liturgjike të Lindjes së Marisë, Papa i kushtoi një mendim edhe shenjtërores së Lurdës, e cila "për fat të keq u godit nga një përmbytje".
Aktualisht, një valë intensive moti të keq po godet rajonin Hautes-Pyrénées, në jugperëndim të Francës, duke shkaktuar përmbytje të mëdha. Shiu bëri që lumi i Lurdës të dalë nga brigjet mbrëmë e ta përmbysë pjesërisht shenjtëroren. Shpella e Masabielës qëndroi e mbyllur për disa orë.