Papa: jo "formulat" por takimi me Krishtin ndryshon jetën
R.SH. / Vatikan
Kush është Jezusi për mua? Çfarë vendi ka në jetën time? A e ndjek atë vetëm me fjalë apo e lë veten të transformohem nga takimi me Të? Pas një udhëtimi të gjatë 12-ditor në Azi dhe Oqeani, dhe pas takimit me mijëra njerëz, duke përshkuar 32 mijë km, 44 orë fluturimi, Papa Françesku u duk so përsëri nga dritarja e Engjëllit të Zotit, në pallatin apostolik dhe besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit e mirëpriten me duartrokitje dhe pankarta “mirëserdhe në shtëpi”.
Duke komentuar Ungjillin e kësaj së diele të 24 gjatë vitit kishtar nga Marku, Papa u ndal te qëndrimi i shën Pjetrit ndaj pyetjes së Jezusit: "Po ju, kush thoni se jam unë?" dhe përgjigjja e tij "Ti je Krishti", por më pas ai kundërshton kur vetë Jezusi fillon të flasë për vuajtjet dhe vdekjen që e presin, aq sa të nxit qortimin e tij të ashpër. Këndej Papa pyeti besimtarët se çfarë do të thotë vërtetë të njohësh Jezusin.
Hyrja në një marrëdhënie me Krishtin
Në fakt, Pjetri apostull përgjigjet në mënyrë të patëmetë duke thënë “Ti je Mesia”, por ai "duhet të konvertohet ende", sepse pas këtyre fjalëve të përsosura qëndron mendësia e botës që e imagjinon Mesinë gjithmonë të fortë dhe fitimtar. Megjithatë, në faqet e Ungjillit jehon një mesazh për të gjithë, i cili, tha Papa, shkon përtej njohjes së doktrinës, përtej recitimit të lutjeve dhe përgjigjes sipas "formulave të mësuara nga katekizmi":
Në realitet, për të njohur Zotin nuk mjafton të dimë diçka për Të, por është e nevojshme ta ndjekim atë, të lejojmë të prekemi dhe të ndryshohemi në brendësinë e jetës sonë nga Ungjilli i tij. Kjo do të thotë të kemi me Të një marrëdhënie, një takim që ndryshon jetën: e kjo do të thotë të ndryshosh mënyrën e të qenit, të ndryshosh mënyrën e të menduarit, marrëdhëniet që ke me vëllezërit, gatishmërinë për të mirëpritur dhe falur, zgjedhjet që bënë në jetë. Pra, gjithçka ndryshon nëse vërtet e ke njohur Jezusin!
Lëreni veten të shqetësoheni nga Ungjilli
Papa Françesku këmbëngul në nevojën e konvertimit dhe e bën këtë duke cituar teologun dhe pastorin luteran Bonhoeffer, viktimë e nazizmit, i cili në veprën e tij Rezistenca dhe Dorëzimi. Letra dhe shkrime nga burgu, shkruan: “Problemi që nuk më lë kurrë të qetë është të dish se çfarë do të thotë vërtet për ne sot krishterimi dhe se kush është Krishti”. “Fatkeqësisht – tha Papa – shumë nuk ia bëjnë më vetes këtë pyetje dhe qëndrojnë ‘të qetë’ e madje edhe larg Zotit”.
Është e rëndësishme të pyesim veten: unë a e lë veten të shqetësohem, a e pyes veten se kush është Jezusi për mua dhe çfarë vendi zë Ai në jetën time? A e ndjek Jezusin vetëm me fjalë, duke vazhduar të kem një mentalitet të botës, apo e ndjek atë, duke lënë që takimi me Të të transformojë jetën time?
Apelet
Në fund të lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa edhe një herë bëri thirrje paqen në zonat e konfliktit. Mendimet e tij janë edhe me popullsinë e Vietnamit dhe të Mianmarit, të cilët po vuajnë pasojat e përmbytjeve të shkaktuara nga tajfuni Yagi, me qindra viktima dhe të zhdukur. Së fundi, Papa kujton lumturimin në Mexico City të të Lumit Moisés Lira Serafíne dhe ditën e ndërgjegjësimit për Sklerozën laterale amiotrofike, ose ALS.