Kërko

Françesku: feja, dhurata e parë për t’u mirëpritur, kundërhelm i frikës

Papa, në audiencën e përgjithshme kushtuar veseve dhe virtyteve, mbajtur në Sallën Pali VI, kujtoi sot se feja është "i vetmi virtyt që të lejon të kesh zili", sepse "na mbush me hir" dhe “na e hap mendjen për misterin e Zoti"

R. SH. - Vatikan

Virtytet teologale - feja, shpresa dhe dashuria - janë dhuratat e mëdha të Zotit. Së bashku na japin sy, që shohin në errësirë; zemër, që do edhe kur nuk e duan, shpresë kundër çdo shprese! Papa Françesku, në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, përdor figura konkrete për të shpjeguar virtytet, të cilat e bëjnë njeriun "të matur, të drejtë, të fortë dhe të përkorë”. Virtyte teologjike si feja, që nuk i kundërvihet arsyes por që ka një armik të madh: frikën:

“Feja është virtyti që e bën të krishterin. Sepse të jesh i krishterë nuk do të thotë para së gjithash të pranosh një kulturë, me vlerat që e shoqërojnë, por të mirëpresësh dhe të ushqesh një lidhje, lidhjen me Zotin: unë e Zoti; vetja ime dhe fytyra e dashur e Krishtit na bën të krishterë!”.

Figurat e fesë

 “Çka është feja?” - pyeti Papa - pyetje së cilës iu përgjigj sipas katekizmit të Kishës Katolike. Pra, feja “është akti me të cilin njeriu e lëshon lirisht veten në dorë të Zotit”. Françesku kujtoi figurat e mëdha biblike, për të shpjeguar sesi njeriu lëshohet në dorë të Zotit. Abrahami, për shembull, është ati i madh i fesë, që e bëri besimin të frytshëm, si njeri që nuk ngurroi t'ia dhuronte të birin e vetëm, Isakun Zotit, deri në fund, kur Ati i gjithëpushtetshëm ia fali rishtas.   

Frika, armiku i besimit

Françesku kujtoi, në vijim, Moisiun, si  model për fenë, sepse njeri që asgjë nuk ia lëkundi  besimin tek Zoti. Më pas është Virgjëra Mari e cila me po-në e saj “niset në një rrugë të cilës nuk ia njeh as shtigjet, as rreziqet”, por me një zemër plot fe e besim. Papa citon përsëri episodin ungjillor, në të cilin apostujt shohin Jezusin duke fjetur në mes të stuhisë. "Pse keni frikë? -  u thotë Jezusi - A ju mungon ende feja?”.

 “Ja pra, armikja e madhe e fesë: nuk është inteligjenca, e as arsyeja, si dikush, mjerisht, vazhdon ta përsërisë këmbëngulshëm, por armiku i madh i fesë është frika. Për këtë arsye, feja është dhurata e parë që duhet mirëpritur në jetën e krishterë: dhuratë që duhet mirëpritur e duhet kërkuar çdo ditë, që të lulëzojë në zemrat tona”.

Feja, dhuratë e Pagëzimit

“Çfarë kërkoni nga Kisha e Hyjit” - është pyetja që u bëhet prindërve kur duan ta pagëzojnë fëmijën. “Fenë! Pagëzimin!”- përgjigjen:

“Me këtë prindi e di se, edhe në mes të provave të jetës, fëmija i tij nuk do të tmerrohet nga frika. Këtu, armiku është frika. E di edhe se kur të mos i ketë prindërit mbi dhe, do të vazhdojë të ketë në qiell Zotin Atë, i cili nuk do ta braktisë kurrë. Dashuria jonë është tejet e brishtë! Vetëm dashuria e Zotit e mund vdekjen”.

“Feja - shton Papa - është dhurata më e lumtur, i vetmi virtyt që na lejohet ta kemi zili. E kjo, sepse ata që kanë fe, banohen nga një forcë që nuk është thjesht njerëzore; feja na 'nxit' hirin dhe na e hap mendjen për ta kuptuar misterin e Zotit." “Zot, shtonae fenë” - është lutja - “Një lutje e bukur”, që Papa Françesku u kërkoi besimtarëve ta përsërisin disa herë, duke e bërë të ushtojë Sallën e Palit VI, të mbushur përlot me shtegtarë.

01 maj 2024, 11:38

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >