Papa: Eukaristia na mëson ta jetojmë çdo gjest dashurie si dhuratë

Gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, Françesku komentoi pjesën e Ungjillit që rrëfen shumëzimin e bukëve dhe peshqve të kryera nga Jezusi dhe shpjegoi se kur kuptojmë se kemi diçka të mirë për të dhënë dhe ofruar, edhe nëse "është shumë pak në krahasim me nevojat", Zoti merr dhe përmes kësaj dhurate bëhet " i pranishëm mes nesh", tha Papa, veçanërisht kur marrim "Korpin dhe Gjakun e Krishtit, frytin e dhuratës së secilit të shndërruar nga Zoti në ushqim për të gjithë"

R.SH. / Vatikan

Ungjilli i kësaj së diele nga Gjoni na flet për mrekullinë e bukëve dhe të peshqve (krh. Gjn 6:1-15). E mrekulli do të thotë "shenjë", protagonistët e së cilës kryejnë tre gjeste, që Jezusi do t’i përsërisë edhe në Darkën e Mbrame: të ofrosh, të falënderosh dhe të ndash! Këto janë veprime që ne i bëjmë edhe në kremtimin e Eukaristisë. Këtë nisi të shpjegojë Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, duke e ftuar turmën që e ndiqte në Sheshin e Shën Pjetrit e në ekranet e botës, për të reflektuar pak së bashku për këto gjeste.

Gjesti i parë, oferta

pari kujtoi ofertën. Ungjilli - shpjegoi Papa - flet për një djalë që ka pesë bukë dhe dy peshq (shih Gjn 6:9). Është gjesti me të cilin ne kuptojmë se kemi diçka të mirë për të dhënë dhe themi "po"-në tonë, edhe nëse ajo që kemi është shumë e vogël në krahasim me nevojat tona:

“Kjo nënvizohet në Meshë, kur prifti ofron bukën dhe verën në altar, ndërsa secili ofron veten, jetën e vet. Është një gjest që mund të duket pak e gjë, nëse mendojmë për nevojat e pafundme të njerëzimit, ashtu si pesë bukët dhe dy peshqit përballë një turme prej mijëra njerëzish; por Zoti, për mrekulli, e bën materien shumë më të madhe sesa është: atë, në të cilën Jezusi vetë bëhet i pranishëm mes nesh, për shpëtimin e botës.

Gjesti i dytë, hiri

Kështu - vijoi Papa - ne e kuptojmë edhe gjestin e dytë: atë të falënderimit (krh Gjn 6:11). T'i thuash Zotit me përvujtëri, por edhe me gëzim: "Gjithçka që kam është dhurata jote dhe, për të të falënderuar, mund ta kthej vetëm çka më dhe më parë, bashkë me Birin tënd Jezus, duke i shtuar çka mundem: dashurinë time të varfër”. Është çasti i bekimit, me të cilin ne i japim lavdi Zotit për mirësinë e tij, ndërsa Ai shenjtëron, kushton, shumëfishon "dy qindarkat" e përpjekjeve tona të brishta (krh Luka 21,1-4).

Gjesti i tretë, ndarja

Arrijmë, kështu, tek gjesti i tretë: ndarja (krh Gjn 6,11). Është ai i Bashkimit a Kungimit, kur së bashku i afrohemi altarit për të marrë Korpin e Gjakun e Krishtit: frytin e dhuratës së secilit, të shndërruar nga Zoti në shujtë për të gjithë. Është çast i bukur, që na mëson ta jetojmë çdo gjest dashurie si dhuratë hiri, si për ata që japin, ashtu edhe për ata që marrin:

“…mundësi për t'u rritur së bashku si vëllezër, gjithnjë e më të bashkuar në bamirësi”.

Një breshëri pyetjesh, për më se një javë

Pra, mund të pyesim veten - kujtoi Papa në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit - a besoj vërtet, me hirin e Zotit, se kam diçka të papërsëritshme për t'u dhënë vëllezërve të mi, apo ndjehem i paemër, "një ndër shumë"? A jam mirënjohës ndaj Zotit për dhuratat me të cilat më shpreh vazhdimisht dashurinë e tij? A e jetoj ndarjen e çdo vlere me të tjerët si çast takimi dhe pasurimi reciprok? Pyetje që kërkojnë përgjigje! E që nuk mund t’i vëmë në jetë, pa praninë e një ndihme hyjnore. Ndaj në përfundim të kësaj lutjeje të së dielës, Papa i drejtohet gjithnjë për ndihmë Nënës së Krishtit, Marisë:

“Na ndihmoftë Virgjëra Mari që çdo festë eukaristike ta jetojmë me besim dhe t’i njohim e t’i shijojmë çdo ditë ‘mrekullitë’ e hirit të Zotit”.

28 korrik 2024, 13:55

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >