Papa: feja dhe lutja e vërtetë e hapin mendjen dhe zemrën, nuk e mbyllin

Në lutjen e sotme të Engjëllit, Papa komentoi Ungjillin (Gjn 6,41-51) që flet për reagimin e judenjve kundër pohimit të Jezusit, i cili tha: “Unë kam zbritur nga qielli” (Gjn 6,38)

R.SH. - Vatikan

Kam zbritur nga Qielli”, u tha Jezusi Judenjve. Me këto fjalë e nisi Papa lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës – për të vijuar me reagimin e judenjve, të çuditur nga ky pohim. Ata nisën të murmurojnë ndërmjet tyre, duke bërë një mori pyetjesh: “Vallë, a nuk është ky i biri i Jozefit? Ai që ia njohim atin e nënën?” (Gjn 6,42).

Duhet t’ia vëmë mirë mendjen fjalëve të tyre - e porositi Papa turmën, që e ndiqte nën rrezet e zjarrta të diellit të gushtit:

“Janë të bindur se Jezusi nuk mund të zbresë nga qielli, sepse është i biri i zdrukthëtarit e edhe pse e ëma e të vëllezërit janë njerëz të zakonshëm, normalë, si gjithë bota: e si do të mund të dukej Zoti në një mënyrë kaq të rëndomtë?”.

Si mund ta njohim Mesinë? 

Si mund ta pyesim e ta njohim Zotin? – vijoi Françesku:

“Ata janë të bllokuar në fenë e tyre nga paragjykimi i zanafillës së Tij të përvuajtur dhe nga hamendja se nuk kanë asgjë për të mësuar nga Ai; se nuk ka vend në zemrat e tyre për atë, që nuk mund ta katalogojnë dhe ta arkivojnë në raftet e pluhurosura të letrave të tyre me vlerë”.

E pra, janë njerëz që respektojnë ligjin, japin lëmoshë, agjërojnë dhe  luten në kohën e duhur. Por edhe Krishti ka kryer tashmë mrekulli të ndryshme (shih Gjn 2.1-11; 4.43-54; 5.1-9; 6.1-25). Prej këndej, pyetja:

“Pse e gjithë kjo nuk i ndihmon ta njohin në Të Mesinë?”.

 Sepse - shpjegon Françesku - ata i kryejnë praktikat e tyre fetare jo aq shumë për të dëgjuar Zotin, sa për të gjetur konfirmimin e asaj që tashmë e mendojnë. Kjo dëshmohet nga fakti se ata as nuk e marrin mundimin t'i kërkojnë shpjegim Jezusit: thjesht murmurisin ndërmjet tyre kundër Tij (shih Gjoni 6:41), për të siguruar njëri-tjetrin për atë që janë të bindur, duke u mbyllur si në një kështjellë të padepërtueshme. Edhe kështu natyrisht, nuk mund të besojnë!

Dhurata e dritës dhe e hirit

Në vijim Françesku e ftoi turmën që e ndiqte në Shesh të Vatikant e ndër sheshet e gjithë botës, t'i kushtojë vëmendje gjithë kësaj së vërtete …

“… sepse ndonjëherë e njëjta gjë mund të na ndodhë edhe ne, në jetën tonë të fesë dhe në lutjen tonë: mund të na ndodhë, domethënë se në vend që t’ia vëmë veshin fjalës që Zoti ka për të na thënë, kërkojmë nga Ai e edhe nga të tjerët vetëm pranimin e asaj , që  mendojmë ne,  bindjeve tona, gjykimeve tona”.

Nuk duhet të dëgjojmë veten, po Zotin!

Në vijim Papa pohoi se kjo mënyrë për t'iu drejtuar Perëndisë nuk na ndihmon ta takojmë vërtet atë, të hapin zemrën për dhuratën e dritës dhe të hirit të tij, të rritemi në mirësi, të bëjmë vullnetin e tij dhe të kapërcejmë mbylljet dhe vështirësitë. E kujtoi:

“Feja dhe lutja e vërtetë e hapin mendjen dhe zemrën, nuk e mbyllin”.

Në fund, jo një, po disa pyetje!

Pra, le të pyesim veten - ftoi në përfundim të lutjes së Engjëllit Papa - në jetën time të fesë, a jam i aftë të hesht me të vërtetë brenda vetes dhe ta dëgjoj Perëndinë? A jam i gatshëm të dëgjoj zërin e tij përtej modeleve të mia dhe të kapërcej, me ndihmën e tij, frikën time?

Nuk janë të lehta për gjegje, këto pyetje, që na e hapin rrugën e jetës. Ndaj njëzëri me lutjen e Papës, edhe ne të lutemi:

“Na ndihmoftë Maria ta dëgjojmë zërin e Zotit me besim dhe të bëjmë vullnetin e tij me guxim”.

11 gusht 2024, 12:38

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >