Kërko

Papa: buka e Jezusit shuan urinë për shpresën dhe të vërtetën

Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se Krishti na e shuan urinë për shpresën, urinë për të vërtetën, urinë për shpëtimin, që të gjithë e ndjejmë, jo në bark, por në zemër (Gjn 6,51. Sa aktuale është fjala e Ungjillit! Ndërsa varfëria, padrejtësia dhe dhuna ua marrin bukën e përditshme njerëzve, Jezusi kujdeset për nevojën e tyre më të madhe

R.SH. / Vatikan

Papa nisi medtimin e tij para lutjes mariane të Engjëllit të Zotit të kësaj së diele duke kujtuar se Ungjilli i sotëm nga Gjoni na flet për Jezusin, i cili thotë me thjeshtësi: “Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli” (Gjn 6,51). Përballë turmës së besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan- shpjegon Ati i Shenjtë Françesku - Biri i Zotit e identifikon veten me ushqimin më të zakonshëm dhe më  të përditshëm. Ndërmjet atyre që dëgjojnë, disa fillojnë të diskutojnë (shih v. 52): si mundet Jezusi të na japë korpin e tij për ta ngrënë? E ne edhe sot ia bëjmë vetes këtë pyetje, ndonëse me habi e mirënjohje. Ja, pra, dy sjellje për t’u reflektuar.

Qëndrimi i parë: mrekullimi

Së pari: mrekullimi, sepse fjalët e Jezusit na befasojnë. Buka nga qielli është dhuratë që tejkalon çdo pritje. Ata që nuk e kuptojnë stilin e Jezusit mbeten dyshues: duket e pamundur, madje çnjerëzore, të hash korpin e një njeriu e të pish gjakun e tij (shih v. 54):

“Korpi dhe gjaku, megjithatë, janë natyra njerëzore e Shëlbuesit, vetë jeta e tij e ofruar si ushqim për tonën”.

Qëndrimi i dytë: mirënjohja

Kjo - vijoi të shpjegojë Papa - na çon tek qëndrimi i dytë: mirënjohja, sepse ne e njohim Jezusin, atje ku ai e bën veten të pranishëm për ne dhe me ne.  Atje ku na kujton: “Kushdo që ha korpin tim mbetet në mua, e unë në të” (cfr v. 56):

“Krishti, njeri i vërtetë, e di mirë se ne duhet të hamë, për të jetuar. Por di edhe se kjo nuk mjafton. Pasi ka shumëzuar bukën tokësore (shih Gjoni 6,1-14), përgatit një dhuratë edhe më të madhe: bëhet Ai vetë shujtë dhe pije e vërtetë (shih v. 55). Faleminderit, o Zot Jezus!”.

Buka qiellore, që vjen nga Ati, është Biri i bërë korp për ne. Ky ushqim është më se i nevojshëm, sepse shuan urinë për shpresën, urinë për të vërtetën, urinë për shpëtimin që të gjithë e ndjejmë, jo në bark, por në zemër.

Biri bëhet korp për ne

Sa aktuale është fjala e Ungjillit! Ndërsa varfëria, padrejtësia dhe dhuna ua marrin bukën e përditshme njerëzve, Jezusi kujdeset për nevojën më të madhe: ai na shpëton, duke ushqyer jetën tonë me të tijën, përgjithmonë. Falë Tij ne mund të jetojmë në bashkësi me Zotin dhe me njëri-tjetrin:

“Pra, buka e gjallë dhe e vërtetë nuk është diçka magjike, që i zgjidh papritmas të gjitha problemet; është vetë Korpi i Krishtit, që u jep shpresë të varfërve dhe mposht arrogancën e njerëzve, që fryhen në dëm të tyre”.

Ta pyesim veten…

Le të pyesim veten atëherë – kujtoi në përfundim të lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit Papa - a jam i uritur dhe i etur për shpëtim, jo ​​vetëm për veten time, por për të gjithë vëllezërit dhe motrat e mia? Kur marr Eukaristinë, që është mrekullia e mëshirës, ​​a mund të mahnitem nga Korpi i Zotit, i cili vdiq dhe u ngjall për ne?

E, në përfundim, ftesa drejtuar, si zakonisht turmës në Shesh, nën diellin përvëlues:

“T'i lutemi së bashku Virgjërës Mari që të na ndihmojë ta mirëpresim dhuratën e qiellit, në shenjën e bukës”.

18 gusht 2024, 13:04

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >